Akuzat e Tom Doshit ndaj Qeverisë, Hafizi: Shashka që ngjajnë si të opozitës

01/03/2015 00:00

Një tjetër përfaqësuese socialiste në Kuvend, e Qarkut Shkodër, i gjen pa vend deklarimet e forta të deputetit Tom Doshi, në emër të bazës socialiste.

“Mua më kanë ngjarë shumë me shashka, të cilat janë përdorur vazhdimisht edhe nga opozita shqiptare, shashka që përdoren për të zhurmuar mentalitete dhe praktika antishtet”, tha Mimoza Hafizi, deputete socialiste e Shkodrës.

E pyetur nëse janë objektive pretendimet e zotit Doshi, për pakënaqësitë e bazës në këtë qark, e mandatuara socialiste e Shkodrës ripërsërit:

“Më ngjajnë me shashka zhurmuese për të mbuluar praktika, mentalitete dhe ide të tjera”, thekson Mimoza Hafizi.

Një ditë përpara mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste me praninë edhe të kryeministrit, ku media ka aluduar për një përjashtim të mundshëm të Tom Doshit nga grupi, Mimoza Hafizi thotë se vendimi do të jetë kolegjial, por rasti mund të shërbejë për reflektim.

“Kriza e krijuar nga ky shpërthim i deputetit Doshi të jetë një moment shumë i mirë reflektimi për grupin socialist, por edhe për mazhorancën tonë qeverisëse, që të distancohemi maksimalisht nga praktikat dhe mentalitetet antishtet, për një kthjellim të qeverisjes sonë. Ndërsa në rastin e individit, kjo do të varet shumë edhe nga mënyra sesi do të sqarohet situata nga kryetari i Partisë Socialiste, i cili ka shumë më tepër informacion nga secili prej ne deputetëve, por ky do të jetë një vendim kolegjial i të gjithë grupit”, përfundoi deklaratën Mimoza Hafizi.

Top Channel