Nga 21 marsi, ndalohet regjistrimi i makinave me timon në krah të kundërt

01/03/2015 00:00

Pas datës 20 mars, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nuk do të lejojë regjistrimin e mjeteve me timon në krah të djathtë.

Masa e parashikuar në ndryshimet e reja të Kodit Rrugor synon të ulë numrin e lartë të aksidenteve, që shkaktohen nga këto automjete, e që më së shumti janë përplasje ballore me pasojë vdekjen e qytetarëve.

“Nga data 21 mars, makinat me timon në krah të djathtë nuk do të regjistohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo vlen për ato makina, që do hyjnë dhe regjistrohen për herë të parë, pasi makinat e tjera ekzistuese me targa shqiptare do të qëndrojnë, deri në një amortizim natyral të tyre”, tha Artan Gaçi, deputet i PS.

Por deri në fazën e amortizimit, këto automjete do të vazhdojnë të jenë burim aksidentesh në rrugët shqiptare. Gaçi thotë se një masë më e fortë, që do të bllokonte qarkullimin e tyre menjëherë, do të ishte një kosto e lartë shtesë për qytetarët që i kanë në zotërim.

“Ishte edhe opsioni që makinat ekzistuese të ndalohen deri në modifikimin e tyre, por që përbënte një masë penalizuese për ekonominë e shumë qytetarëve që i kanë importuar, duke zbatuar ligjet e shtetit shqiptar, ato ekzistuese. Ato mjete janë ende rrezik, por me ndryshimin e Kodit Rrugor jemi munduar të minimizojmë këtë rrezik”, tha deputeti socialist Artan Gaçi.

Ligji bën përjashtim për turistët, të cilët mund të qarkullojnë deri në 6 muaj, ndërsa qytetarët e tjerë që duan të importojnë këto automjete duhet të kryejnë modifikimin e tyre, pasi në të kundërt nuk do të lejohen në hyjnë në territorin shqiptar.

Top Channel