Ministria e Arsimit: Studentët u nxitën politikisht

01/03/2015 00:00

Ministria e Arsimit ka reaguar për grevën e 32 studentëve të Infermierisë, duke e cilësuar si të një grupi të yshtur politikisht e tashmë të pranuar edhe publikisht.

Ministria sqaroi se studentët janë të transferuar nga privati pas mbylljes së universiteteve ku ata studionin. Për dikasterin e arsimit, opozita që po i përdor politikisht këta studentë, ishte e njëjta që në pushtet ngriti institucione të tilla arsimore private që shkatërruan sistemin në Shqipëri.

Ministria e drejtuar nga Lindita Nikolla sqaroi se studentëve iu dha një shans i dytë për të vijuar studimet, madje pa konkurrim. Por, përkundër këtij vendimi që Ministria thotë se u ndërmor në emër të përgjegjshmërisë shtetërore, studentët e transferuar që po kundërshtojnë tarifat e arsimit të lartë, paguanin tek universitet private shumë më shumë se te publiku, duke iu kujtuar studentëve të transferuar se qindra të rinj të tjerë nuk arritën për pak pikë të hynin përmes konkurrimit në këtë fakultet shumë të kërkuar.  

Si argument të tretë të mungesës së legjitimitetit të kësaj greve, Ministria thotë se studentët ishin njohur me kushtet, ku përfshihej edhe tarifa, gjatë transferimit nga privati vitin e kaluar.

Ministria thotë më tej se përgjatë gjithë këtij procesi ka komunikuar me studentët, duke i shpjeguar çdo detaj të vendimit.  

Ky dikaster shpreh vendosmërinë për të vijuar rrugën e reformës së arsimit të lartë, duke garantuar rritjen e cilësisë për 170 studentët shqiptarë. Ministria e drejtuar nga Lindita Nikolla, me po kaq vendosmëri, thotë se procesi mësimor në Universitetin Publik nuk mund të mbahet peng nga askush.

As nga partitë politike, as nga ata që përdoren nga partitë politike.

“E drejta e protestës është e drejtë e çdo kujt, por ajo nuk mund të ushtrohet duke cenuar të drejtat e të tjerëve. Shqiptarët nuk meritojnë sistem si ai që trashëguam dhe për fat të keq ripropozohet nga të njëjtët njerëz, një sistem që shpërndante diploma e padije. Ndaj asgjë e askush nuk do të na kthejë mbrapsht në rrugën e reformës, as humbësit e së shkuarës e as hijet e tyre të së sotmes”, ka thënë ministrja.

Top Channel