MPB: Opozita i del në krah çdo shkelësi të ligjit

01/03/2015 00:00

Ministria e Brendshme reagoi pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

Me anë të një njoftimi, ministria ka bërë të ditur se personi në fjalë është shoqëruar në Komisariatin Nr.5 të Tiranës në datë 28.02.2015, i akuzuar se ka marrë pjesë në protestë të paligjshme në Kamëz, duke organizuar disa persona për të penguar qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor pranë Institutit Bujqësor në Kamëz.

Pasi janë kryer veprimet procedurale për këtë shtetas është vendosur ndjekja penale në gjendje të lirë. “Megjithëse Edi Paloka pretendoi se Orest Deda është dhunuar nga Policia, e madje tregoi edhe nje foto me shenja në fytyrë, përfaqësuesi i opozitës nuk shpjegoi se si këto shenja ishin zhdukur nga fytyra e Dedës brenda pak orësh. Ministria e Punëve të Brendshme i kërkon opozitës t’i japë fund këtij teatri me persona të manipuluar dhe të heqë dorë nga përpjekjet për përbaltjen e Policisë së Shtetit. Qëndrimet e PD-së shkojnë në dëm të respektimit të ligjit nga të gjithë qytetarët dhe shtetit të së drejtës që synojmë të vendosim”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Brendshme.

Top Channel