Seria A, sot në mbrëmje supersfida Roma-Juve

02/03/2015 00:00

Mbrëmjen e sotme do të luhet ndeshja më e rëndësishme e javës së 25 të Serisë A. Në “Olimpico” të Romës do të zbresë kryesuesja e kampionatit italian (Juventus) dhe ndjekësja më e afërt (Roma).

Bardhezinjtë kanë një avantazh prej 9 pikësh ndaj verdhekuqve, gjithsesi trajneri i Juves, Massimiliano Allegri, nuk mendon se kjo përballje do të vendosë fatin e titullit kampion.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për kampionatin, por jo thelbësore. Do të ketë edhe 13 ndeshje të tjera pas kësaj. Kampionati është ende i gjatë dhe të mos harrojmë që edhe Napoli po afrohet”, tha Allegri, i cili shtoi se ndeshje e sotme duhet të jetë një reklamë për futbollin italian.

“Pas mbrëmjes së të hënës, futbolli italian duhet të tregojë se vazhdon të mbetet në nivele të larta. Europa dhe Bota duhet të na gjykojnë pozitivisht duke u nisur nga ajo që do të tregojmë në fushë”, u shpreh trajneri i Juventusit.

Nga ana e tij, Rudi Garcia i Romës, nuk mendon aspak për titullin kampion. Trajneri francez mendon se është treguar mendjemadh kur në fillim të sezonit foli për fitoren e kampionatit.

“Fola për titullin për të rritur ambiciet e skuadrës, por u ndëshkova për mendjemadhësinë time. Në lidhje me ndeshjen, nuk e di nëse do të nisemi si të barabartë ndaj Juventusit, por di që objektivi i vetëm për ne është fitorja”, deklaroi Garcia.

Ndeshja Roma-Juventus do të nisë në orën 21:00 dhe do të mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel