Vendoret, Meta: Ende asnjë marrëveshje me PS-në për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve

02/03/2015 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste, Ilir Meta deklaroi se ende nuk ka një
marrëveshje me Partinë Socialiste për mënyrën e përzgjedhjes së
kandidatëve për kryetarë të bashkive.

“Nuk kemi ende një marrëveshje, jo për ndarjen e zonave sepse nuk ekziston ky koncept, por për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar bashkie. Ky është një proces i hapur dhe mjaft konstruktiv që nuk ka nevojë për nxitim. Kështu që do të duhet të presim edhe pak kohë”, tha Meta.

Ndër të tjera ai tha se bisedimet me Partinë Socialiste janë të hapura dhe konstruktive.

I pyetur në lidhje me zërat që po qarkullojnë për PDIU-në nëse ajo do të jetë pjesë e koalicionit apo jo, Meta tha se nuk mund të flasë për një çështje të tillë.  “Nuk mund të flas për gjëra për të cilat nuk më takon të shprehem, pra deri tani nuk jam në dijeni për një diçka të tillë”, theksoi Meta.

Ndërkohë në rolin e kryeparlamentarit, pak minuta më parë, Meta u shpreh se vetëm transparenca dhe paanshmëria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të sigurojë procesin zgjedhor lokal të 21 qershorit.

“Duhet të vemë në jetë praktikat më të mira të Bashkimit Evropian”, u shpreh Meta.

Këtë deklaratë kryeparlamentari e dha në fjalën e mbajtur gjatë konferencës që po zhvillohet në Tiranë, me temë “Shkëmbimi i përvojave Shqipëri-Slloveni”.

Top Channel