Iraku nis operacionin ndaj ISIS-it

02/03/2015 00:00

Të mbështetura nga luftëtarë aleatë shiitë e sunitë bashkë, forcat irakiane të sigurisë nisën orët e para të ditës së sotme një operacion ushtarak në shkallë të gjerë për rimarrjen e vendlindjes së Sadam Huseinit, Tikritin, nga duart e ISIS-it.

Mësymja konsiderohet një hap madhor përpara në fushatën e rikthimit të territoreve veriore të Irakut nën kontrollin e qeverisë.

Tikriti, 130 km larg Bagdadit, u pushtua nga ISIS-i gjatë verës së bashku me qytetin e dytë më të madh të vendit, Mosulin, si dhe zona të tjera të zemrës sunite të Irakut pas braktisjes së tyre prej forcave të sigurisë. Deri tani, çdo përpjekje për të fituar kontrollin e Tikritit kishte përfunduar në dështim, por situata nisi të ndryshojë pasi të mbështetur nga avionët e koalicionit, ushtarët irakianë arritën të marrin Beixhin aty pranë.

Kontrolli i vendlindjes së ish-diktatorit do të mundësonte nisjen e një operacioni të drejtpërdrejtë mbi atë që është dhe shënjestra kryesore e kësaj mësymjeje, Mosuli. Kaq të rëndësishëm Tikritin e bën pozicioni strategjik për përforcimet ushtarake. Goditja e tij, sipas televizionit Al-Iraqiya Television, po bëhet nga drejtime të ndryshme. Raporteve të tij tregojnë se militantët janë tërhequr tashmë nga disa lagje periferike.

Ndasitë e hidhura mes minoritetit sunit, një bazë e rëndësishme mbështetjeje për Sadamin dhe shumicës shiite e kanë munduar prej kohësh Irakun. Bashkëpunimi i luftëtarëve nga të dy këto kahe në operacionin e Tikritit shihet dhe si një zhvillim i një rëndësie kyçe në betejën kundër Shtetit Islamik, edhe pse prania e forcave shiite në rajone sunite rrezikon të çojë drejt përplasjesh të tjera në të ardhmen.

Pak orë përpara operacionit, kryeministri irakian Haider al-Abadi, i cili vetë është shiit, i bëri thirrje luftëtarëve fisnorë sunitë të braktisin grupin ekstremist, duke i ofruar atë që e përshkroi si “shansin e tyre të fundit për të ulur armët”, e duke i premtuar faljen.

Top Channel