Studentët e grevës: Presidenti do të kërkojë nisjen e hetimeve

02/03/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti të hënën një përfaqësi të
studentëve grevistë, pas kërkesës së tyre për t’u takuar me kreun e
shtetit.

Për mediat, studentët u shprehën se Presidenti do t’i kërkojë Prokurorisë të nisë hetimet për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku policia nxorri nga ambientet e grevës studentët protestues.

“Presidenti na garantoi mbrojtje fizike dhe ligjore”, thanë studentët. Ende nuk ka një njoftim zyrtar rreth takimit nga ana e Presidencës.

Greva e urisë e studentëve të mjekësisë u ndërpre nga policia, e cila ka ndërhyrë dhe ka liruar ambientet e godinës së Infermierisë. Studentët pretendojnë se janë keqtrajtuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë pas aksionit. Në një video amatore duket ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi i dhjetëra studentëve nga ana e uniformave blu. Asnjë prej studentëve nuk ndodhet aktualisht në komisariate. Ata janë lënë të lirë në orët e para të paradites së të dielës, ndërsa thonë se protesta e tyre do të vijojë.

Top Channel