F1, Rosberg: Jemi favoritë!

02/03/2015 00:00

Tre gara me probleme të Mercedesit lejuan që Daniel Ricciardo (Red Bull) të fitonte tre gara në sezonin e kaluar të Formulës 1, por duket se këtë sezon kjo gjë nuk do të përsëritet. Nga testimet parasezonale u pa se nëse duan t’i “vjedhin” ndonjë Cmim të Madh njëvendësheve që me goma të buta regjistrojnë kohë më të shpejta se të tjerët me super të butat, rivalët duhet të përmirësohen shumë.

“Vitin e kaluar patëm probleme të shumta mekanike me makinën dhe e dinim që duhet ta përmirësonim këtë aspekt. Më duket se ia kemi arritur qëllimit”, u shpreh Nico Rosberg, nënkampioni i Formulës 1.

Piloti gjerman i Mercedesit është i lumtur me njëvendëshen e tij dhe e di shumë mirë se kundërshtar të vetëm ka shokun e skuadrës, Lewis Hamilton.

“Kemi një makinë shumë të shpejtë dhe jemi favoritë për të fituar titullin pasi e fituam vjet dhe në testime ishim më të shpejtët sërish. Jemi shumë optimistë”, theksoi Nico Rosberg.

Top Channel