Grupi i PS përjashton Tom Doshin, deputeti: Meta ka paguar vrasës për mua dhe Mëhill Fufin

02/03/2015 00:00

Me propozim të kryeministrit Edi Rama, grupi parlamentar i PS shuajti të gjitha hamendësitë dhe pikëpyetjet e ngritura ditët e fundit për deputetin e qarkut Shkodër, Tom Doshi, duke e përjashtuar atë nga grupi.

Kryeministri Edi Rama i kurseu komentet kur mbërriti në selinë rozë. Ndërsa Koço Kokëdhima, njeriu i cili mori rolin e pajtuesit mes Doshit e Ramës, la të kuptohej se skenari i përjashtimit nuk nuk kishte për të ndodhur.

“Këtu nuk bëhet fjalë as për përjashtime, as për prerje kokash. Ne i disktuojmë çështjet në mënyrë shoqërore, parimore dhe me përgjegjshmëri”, tha Kokëdhima.

Por, pas 40 minutash nga nisja e mbledhjes së grupit ishte vetë Tom Doshi që e braktisi atë dhe nëpërmjet një deklarate të papreçedentë njoftoi përjashtimin.

“Po, Edvin Rama vendosi të më përjashtojë nga grupi. Nuk prita votimin, por dihet se kur vendos kryetari të tjerët s’kanë faj. Por ia bëra të qartë se kush është pas tij”, deklaroi Doshi.

Por ku e bazon Tom Doshi këtë deklaratë tronditëse?

“Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta, që ka paguar lekë për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin. Ka 5 muaj që ia kam bërë të qartë Ilirit, Ramës, kryeprokurorit dhe shefit të Krimeve të Rënda. Kam informuar edhe Senatin amerikan për këtë punë. Theksoj se ia bëra të qartë Edi Ramës për 21 janarin dhe gjëra të tjera, por në ditët e ardhshme ju do të keni informacione. Prova ime është se personi që ka marrë përsipër për të kryer këtë akt është takuar edhe me ministrin Tahiri. Patjetër që disponoj video për këtë. Të tëra i disponoj”, iu përgjigj Doshi interesit të mediave.

Top Channel tentoi të lidhej edhe me deputetin demokrat Mëhill Fufi, por pa mundur të marrë përgjigje prej tij.

Teksa largohej për herë të fundit nga selia e Partisë Socialiste, Tom Doshi nuk la vend për hamendje për të ardhmen e tij politike, duke njoftuar krijimin e një partie të re dhe daljen me 61 kandidatë në zgjedhje. “Nuk shkoj tek asnjë parti tjetër. Jam në gjendje sa për të krijuar parti të re”, tha ai.

Mbledhja e grupit socialist mësohet se ishte e tensionuar dhe me debate të forta edhe mes kryeministrit Rama dhe deputetit Ben Blushi, jo vetëm për rastin Doshi, por edhe për reformat. Kolegët deputetë të Doshit nuk pranuan të komentonin atë që ndodhi në mbledhje, por Blushi nuk u kursye të fliste.

“E thash dhe në mbledhje, kjo është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që nuk duan të na i thonë. Por fatkeqësisht është historia e një miqësie disavjeçare, motivet e prishjes së të cilës nuk dua t’i di, por që për fat të keq nuk janë politike por i vënë një damkë të madhe PS-së. Edi Rama duhet ta administronte këtë çështje prej shumë kohësh, të qeveriste më mirë. Ai ka përgjegjësinë e vetë, por bashkëpunimi në këto kushte ishte i pamundur. Por, e përsëris, është një miqësi e dy shokëve që është prishur”, tha Blushi.

Top Channel