Ndëshkimi i pastrimit të parave. Gazheli: Denoncime ka shumë, në burg përfundojnë shumë pak

02/03/2015 00:00

Për kreun e Drejtorisë së Pastrimit të Parave, Gent Gazheli, Prokuroria
dhe Gjykata hetojnë dhe dënojnë pak në krahasim me rastet e denoncuara.

Në katër vitet e fundit nga 231 procedime janë dërguar në Gjykatë vetëm 22 të tilla. Rasti më flagrant për Gazhelin është ajo se në 22 vite numri i te dënuarve për tjetërsim të fondeve është i papërfillshëm. Gjatë raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare u evidentuan një sërë problemesh.  

“Gjej momentin dhe rastin t’i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare të ndërgjegjësohet për këtë fakt. Tjetërsimi i fondeve është vepër penale dhe dënohet. Mosvlerësimi i formacioneve që institucioni jonë dërgon, fakt që demostrohet bindshëm nga kërkimi i të dhënave që janë dërguar më parë dhe nuk gjenden në arkivat e tyre. Letër-porositë dërgohen me vonesë, duke specifikuar vetëm gjeneralitet që kanë personat nën hetim, pa dhënë detaje për gjeneralitetet e tjera, që mund të kenë përdorur dhe pa dërguar gjurmët e gishtave.Dihet që kriminelët përdorin disa gjeneralitete”, tha Gazheli.

Drejtoria e Pastrimit të Parave gjatë vitit 2014 ka referuar 462 raste. Jane nxjerre 65 urdhra bllokimi, të cilët kapin shifrën e 18 milionë eurove. Sipas Gazhelit kjo vlerë, për vitin 2014 kalon bllokimet e bëra në 2009-2013-ën.

Top Channel