Rama: Pse Tom Doshi s’mund të jetë më me ne

02/03/2015 00:00

Për të shuar çdo hamendësi rreth diskutimit në grupin parlamentar
socialist, Kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook fjalën e tij. Që
në fillim ai është shprehur se është krenar për gjithë çfarë është bërë
në këtë një vit e gjysëm të qeverisjes, duke theksuar se “njerëzit
presin nga ne shumë më tepër se ç’është bërë deri më sot”.

“Sigurisht, deri në 2017-ën jemi objektivisht larg rezultateve që nuk ka dyshim se do të na japë ky kantier i hapur reformash. Duhet një mendjelehtësi shembullore për të kërkuar që çka po mbjellim sot, ta korrim po sot. Apo për çka nuk po e korrim që sot t’ia vemë fajin asaj që po mbjellim. Ashtu siç duhet një cinizëm i spikatur për t’u bërë zëdhënës i pakënaqësive të natyrshme, duke i mveshur vetes, Partisë Socialiste, apo konkretisht qeverisë, përgjegjësi që s’janë tonat për prapambetjen e krijuar në vite të gjata pseudoreformas”, tha thënë Rama para deputetëve.

Çka kemi bërë në këtë një vit e gjysëm, e kemi bërë bashkë, – ka theksuar Rama,- dhe askush nga ne nuk është i pagabueshëm.

“Aq më pak janë të pagabueshëm ministrat, të cilët për shkak të detyrës kanë më shumë ngarkesë për të mbajtur dhe vendime për të marrë.Edhe më pak akoma, jam i pagabueshëm unë për vetë peshën e pazakonshme të detyrës së Kryeministrit.Por jam sinqerisht krenar për punën e ministrave gjatë këtij një viti e gjysmë, pavarësisht se puna më e madhe mbetet ende për t’u bërë dhe ka pa pikë dyshimi, një sërë aspektesh të punës së tyre që duhen përmirësuar në vijimësi”, shprehet më tej ai.

Pjesën tjetër të fjalës Rama ia ka dedikuar deklaratave të deputetit Tom Doshi.

“Por jam tejet i keqardhur që nuk mund të them dot të njëjtën gjë, kur qëndrimi i një deputeti bie ndesh me normat më elementare të kontratës së bashkëjetesës sonë dhe kështu bëhet një qëndrim i dënueshëm. Secili prej nesh ka një kontratë bashkëjetese me këtë parti dhe me këtë grup. Padyshim me secilin dhe secilën prej jush, mua më lidh përveç punës edhe një marrëdhënie njerëzore e veçantë. Unë nuk kam asnjë mundësi të mbështes apo lejoj në heshtje shkeljen, nga cilido këtu, të normave bazë të kontratës së bashkëjetesës sonë në këtë grup. Sepse me këtë grup janë të lidhur sot fatet e vendit tonë, përpara të cilave fati i interesave sado legjitime të secilit prej nesh s’ka asnjë peshë”, theksoi Rama.

Në këtë grup,- është shprehur Rama, – gjithkush mund të thotë atë që mendon për Qeverinë. Por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë.

“Në këtë grup gjithkush mund të shprehet lirisht për çdo ministër apo drejtues të lartë institucioni. Por askush nuk mund t’i japë vetes lirinë që të cënojë të drejtën e dinjitetin e kujtdo, dhe jo më të një ministri të Republikës së Shqipërisë apo qoftë edhe një të drejtuesi të një agjencie shtetëror. Askush nuk mund t’i imponojë këtij grupi daljen nga vetja. Deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar. Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht personin dhe dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie”, tha Kryeministri.

Në një situatë të tillë Rama ka bërë këtë propozim.

“Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”, kërkoi Rama.

Top Channel