Korea e Veriut teston raketa balistike; reagim i Penianit ndaj stërvitjes SHBA-Seul

02/03/2015 00:00

Korea e Veriut ka qëlluar dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në det dhe ka bërë thirrje për “reagim të pamëshirshëm” ndaj stërvitjeve të përbashkëta mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat Peniani i konsideron si sfiduese.

Stërvitjet vjetore gjithmonë shkrkatojnë tensione ushtarake dhe retorikë luftarake në gadishullin e ndarë dhe analistët thonë se testi i raketave nga Veriu është prelud i një fushate të planifikuar konfrontimi verbal.

“Nëse ka një përshkallëzim të ndjeshëm të situatës, atëherë është Veriut që po orkestron një seri përplasjesh në kufirin detar”, deklaroi Jeung Young Tae, analist pranë Institutit për Unifikimin Korean në Seul.

Testimi i raketave vjen si një paralajmërim i rreptë i Ushtrisë Popullore Koreane të Veriut, se “stërvitjet ushtarake vjetore do ta çojnë gadishullin në prag të luftës”.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes në Jug deklaroi se raketat tip “Scud” u qëlluan nga porti i qytetit perëndimor Nampo dhe ranë në bregun lindor të detit, në një distancë prej rreth 500 kilometrash.

Rezoluta e OKB-së ndalon çdo test balistik nga Korea e Veriut dhe zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Seul deklaroi se Peniani tregoi qartë synimin e tij për të shkaktuar një “krizë sigurie”. “Ne do t’i përgjigjemi fortë dhe fuqishëm çdo provokimi”, theksoi zëdhënësi.

Ndërkohë, edhe Japonia ka reaguar duke bërë të ditur se i ka dërguar një notë proteste Veriut për shkak të rrezikut që përbën lëshimi i këtyre raketave për aviacionin dhe trafikun detar. Ndërsa Kina u bëri thirrje dy Koreve që të përmbahen.

Testet e raketave janë prej kohësh një taktikë e preferuar e Penianit për të shprehur pakënaqësinë dhe irritimin me ato që i konsideron sjellje provokuese nga Jugu dhe aleatët e tij.

Top Channel