FMN paralajmëron rritje të re taksash

02/03/2015 00:00

Qeveria është zotuar para FMN-së se do të rrisë sërish taksat, nëse nuk
do të arrijë arrijë treguesit e përcaktuar në sektorin e energjisë.

Në dokumentin e sapopublikuar për rishikimin e dytë dhe të tretë të marrëveshjes, shkruhet se autoritetet kanë rënë dakord me Fondin që të garantojne arritjen e objektivave fiskal dhe se çdo një dobësim në reformën e sektorit elektrik do të kompensohet me masa fiskale shtesë.

Reforma që Qeveria ka ndërmarrë në energjetikë parashikon që sektori të dalë nga kriza dhe të financojë vetën në vitin 2019. Deri atëherë ai do të finacohet çdo vit nga buxheti sipas një plani të paracaktuar. Për këtë vit, Qeveria ka parashikuar mbi 13 miliardë lekë ose 1.2 për qind të Prodhimit Kombëtar për këtë qëllim, ndërsa në vitet që vijnë shifra është parashikuar të ulet.
    
Por nëse deficiti financiar i sektorit, pra nevoja e tij për financime do të jetë më e madhe se shifrat e paracaktuara, qeveria do të jetë e detyruar të marrë masa shtesë duke rritur taksat ose shkurtuar investimet. Kjo për të mos cënuar deficitin e përgjithshëm të buxhetit dhe programin për uljen e borxhit, për të cilin fmn duket se nuk pranon kompromis.  

Rritja e vazhdueshme e çmimit te energjisë

Rritja e tarifave të energjisë në fillim të këtij viti duket se ishte vetëm hapi i parë për barazimin e kostove me çmimet finale që paguajnë konsumatorët. Fondi Monetar Ndërkombëtar zbulon Qeveria do të vazhdojë me rritjen e tarifave edhe gjatë viteve në vijim. Sipas FMN-së barazimi i menjehërshëm i kostove do të kërkonte rritje të fortë të çmimit.

Ndaj-thotë Fondi- autoritetet planifikojnë që ta bëjnë këtë në disa hapa, me rritjen e parë që hyri në fuqi në fillim të 2015-ës, ku çmimin e energjisë për familjarët njëhsua në 9.5 lekë, ndërsa tarifat e biznesit u rritën nga 10 deri në 39 për qind në varësi të kategorive të tyre.

Por duket se kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim. Sipas FMN-së rritja e tarifave përtej 2015 do të shoqërohet me rritjen e transfertave për të mbrojtur familjet e varfëra, një skemë e cila u përdor edhe për këtë vit. 

Top Channel