Emwazi, profili i punonjësit të IT që u bë “kasap” i Shtetit Islamik

02/03/2015 00:00

Mohammed Emwazi, britaniku i identifikuar si ekzekutuesi i Shtetit Islamik apo “xhihadisti John”, ka qenë dikur një prej shitësve më të shquar të një kompanie kuvajtiane me profil IT-je, bën të ditur “the Guardian”, në zbulimet e fundit në lidhje me “udhëtimin” e tij nga normaliteti drejt çnderimi i tij.

Emwazi, i lindur në Kuvajt por i rritur dhe i arsimuar në Londër, i cili është shfaqur në videot e Shtetit Islamik duke ekzekutuar me prerje koke pengjet në një shkretëtirë siriane, ka qenë i qetë dhe mjaft i tërhequr, por kishte një dhunti natyrore për punën, tha një ish-shefi i tij në Kuvajt Siti.

“Ai ishte një prej punonjësve më të mirë që kemi pasur ndonjëherë”, tha ish-shefi i 21-vjeçarit Emwazi në atë kohë. “Ai sillej shumë mirë me njerëzit, ishte i qetë dhe i denjë për atë punë që bënte. Erdhi në dyert tona për t’u punësuar, na dha CV-në e tij”.

Ai shtoi se stafi i rekrutimit u surprizua nga fakti që një londinez dëshironte të vinte dhe të punonte në Kuvajt, për shkak se shumica e moshatarëve të tij në rajon janë dëshpërimisht në kërkim të krahut të kundërt të këtij udhëtimi. Ish-pronari i tij shtoi se, pas një periudhe të shkëlqyer prove, britaniku u zhduk në prill të vitit 2010, pas një udhëtimi drejt Londrës.

“Sesi mundet një njeri aq i qetë dhe i durueshëm si ai, të bëhet një person i tillë siç e kemi parë të gjithë nëpër lajme, kjo është ende një mister dhe aspak logjike. Unë nuk mund ta besoj se kamikazi është pikërisht ai person që dikur kemi dashur ta punësojmë”.

“The Guardion” zotëron gjithashtu foton më të fundit të Emwazit, përpara sesa ai të udhëtonte drejt Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik. Ajo është bërë në Kuvajt gjatë fillimvitit 2010.

Familja e Emwazit është nga Kuvajti dhe babai i tij, Jassem, nëna Ghaneyah, dhe vëllai i tij më i vjet, Omar, janë marrë gjatë së dielës në pyetje rutinë nga autoritetet kuvajtiane.

Oficerë të shërbimeve sekrete i thanë anëtarëve më të mëdhenj të fisit Emwazi në rajonin fqinj të Jahras, Tayma’a, 30 minuta nga qendra e qytetit, që të mos hapin gojë dhe të mos japin asnjë informacion për askënd.

Kërkimet kuvajtiane për Emwazin po mbushin boshllëqet në lidhje me atë që dihet mbi njeriun në fjalë, por e portretizojnë atë si një të ri të rregullt, të diplomuar për IT dhe të aftë për të mbajtur një punë të qëndrueshme e për të rënë në sy të mentorëve të tij.

Në Kuvajt, Emwazit iu dha një periudhë prove 3-mujore, gjatë të cilave do të fitonte 200 dinarë kuvajtianë në muaj (657 paund) përjashto këtu 50 dinarë shtesë (109 paund) për shpenzimet, ndërkohë që iu premtua edhe 5 përqind komision për bizneset që do të afronte në kompani.

Paga modeste e tij ishte në kundërshtim me atë se çfarë mund të fitonte ai në Britani, apo kudo në Europë, bën të ditur kompania, ndaj dhe fillimisht punëdhënësit u habitën sesi një i ri aq i aftë dhe shtetas londinez kërkonte të punonte për ta.

“Muslimanët dhe arabët mezi presin që të udhëtojnë nga këtu drejt Londrës apo Shteteve të Bashkuara, ku qëndrojnë për thuajse 2 vjet në kërkim të një pune apo qoftë edhe një vendbanimi”, tha ish-punëdhënësi i tij. “Gjithmonë më ka bërë përshtypje, përse donte të vinte te ne? Megjithatë mendohet që ai të jetë përballur me probleme të rëndësishme, ndoshta familjare, sociale apo psikologjike. Në fakt kurrë nuk e kam pyetur. Ai donte një punë të mirë në Londër dhe donte të martohej, por nuk mundej dhe mbase kjo është kthyer në një problem për të”.

Emwazi është shembulli më konkret i qindra britanikëve që kanë udhëtuar drejt rajonit gjatë muajve të fundit për t’iu bashkuar lëvizjes ekstremiste të Shtetit Islamik, teksa xhihadistët synojnë të krijojnë një kalifat përgjatë rajoneve të tëra në shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut.

“Scotland Yard” tha se 60 gra dhe vajza britanike, përfshi 18 adoleshente, kanë udhëtuar me synim për t’iu bashkuar ISIS. Pamje të televizionit CCTV, të publikuara të dielën, tregojnë tre adoleshente britanike që prisnin në një stacion autobusi në Stamboll, në pritje për të udhëtuar drejt kufirit me Sirinë. Emwazi besohet të ketë shkuar në Siri në vitin 2013.

Top Channel