SHBA paralajmëron Rusinë: Të zbatohet ujdia e paqes, në të kundërt…

02/03/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara shpresojnë që brenda pak kohëve të vihet në zbatim të plotë marrëveshja e paqes e arritur në Minsk mes Kievit e Perëndimit nga njëra anë dhe separatistëve e Rusisë nga ana tjetër.

Sekretari i Shtetit, John Kerry deklaroi se shpreson që zbatimi i saj të fillojë brenda pak orëve. Megjithatë ai paralajmëroi Moskën se do të përballet me “pasoja të tjera” nëse pikat e ujdisë nuk respektohen plotësisht.

Sekretari Kerry akuzoi separatistët për zbatim selektiv të marrëveshjes, duke tërhequr artilerinë nga vija e frontit vetëm në disa zona që nuk u interesojnë. Ai paralajmëroi Moskën se nëse nuk ka një zbatim të menjëhershëm dhe të plotë të marrëveshjes do të përballet me sanksione të reja.

“Jam shpresëplotë që kjo marrëveshje do të jetë nisje e një ndryshimi për mirë për të gjithë. Në Krime dhe në Lindje të Ukrainës po vriten burra, gra e fëmijë të pafajshëm çdo ditë dhe kjo duhet të marrë fund”, tha ai pas takimit të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Ndërkohë, duke folur pas po këtij takimi, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se “ka një progres të ndjeshëm në zbatimin e marrëveshjes”.

Si Kievi zyrtar ashtu edhe udhëheqësit e rebelëve në Lindje deklarojnë se kanë nisur tërheqjen e artilerisë së rëndë prej vijës së frontit, por në terren janë raportuar disa incidente dhe të shtëna që dëshmojnë brishtësinë e armëpushimit.

Vëzhguesit e OSBE-së konfirmojnë tërheqjen e artilerisë së rëndë nga të dyja palët, por thonë se është ende herët për të folur për një tërheqje të plotë.

Pjesë e bisedës Kerry-Lavrov ka qenë edhe vrasja e politikanit të opozitës, Boris Nemtsov, aleatët e të cilit në Moskë akuzojnë drejtpërdrejtë Kremlinin si porositës të krimit. Por Lavrov mohoi këto akuza dhe krimin e cilësoi “vepër të burracakëve”. Ai tha se Rusia do të bëjë gjithçka për të vënë përpara drejtësisë autorët.

“Ky është një krim burracak që do të hetohet plotësisht dhe në një kohë të shkurtër autorët do të dalin para drejtësisë”, tha ai.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit, John Kerry kërkoi që para drejtësisë të mos dalë vetëm ai apo ata persona që kanë shkrepur armën, por edhe porositësit e vrasjes.

Top Channel