Pistat e hetuesve rusë për vrasjen e Nemtsov

02/03/2015 00:00

Hetuesit rusë e kanë drejtuar vëmendjen nga Ukraina sa i takon vrasjes së eksponentit kryesor të opozitës, Boris Nemtsov.

Burime anonime të policisë, të cituar nga agjencitë e shtypit flasin për “elementë radikalë” që i përkasin së djathtës ekstreme të Kievit, që sipas tyre nuk u kanë pëlqyer zbulimet e Nemtsov për përfshirjen e trupave të Moskës në konfliktin për qytetin Donbas.

Ndërkohë, nuk anashkalohet edhe pista e komplotit për destabilizimin e vendit të përfshirë nga një krizë ekonomike, për të rritur sipas palës ruse “isterizmin anti-rus jashtë shtetit”.

Gazeta “Pravda” tregon si urdhërues të vrasjes CIA-n, ndërsa për ekzekutor të mundshëm konsideron agjencinë britanike të spiunazhit me jashtë, MI6, Mossadin izraelit apo sauditët.

Nuk mungojnë ndërkohë hipotezat e armiqësive personale dhe politike të një njeriu, që kishte jetuar në vijën e parë periudhën e vështirë të kalimit nga Bashkimi Sovietik tek Rusia e Carit Putin.

Nuk mbeten pas as pistat pasionale, duke parë marrëdhënien e vështirë të Nemtsov me nënën e katër fëmijëve të tij, me të cilën nuk është divorcuar kurrë, me yllin e televizionit Ekaterina Odintsova, ish-sekretaren Irina Koroleva, etj.

Por pista e preferuar e Kremlinit mbetet ajo e komplotit të brendshëm të opozitës, që sipas presidentit Putin ndjek parimin e “personit të sakrifikueshëm”. Thënë ndryshe, zgjedhja e një lideri për të eleminuar, me qëllim hedhjen e përgjegjësisë së krimit mbi pushtetin.

Supozime këto që bëjnë edhe më të dhimbshme plagën e familjarëve, miqve dhe asaj opozite që Nemtsov po përpiqej të bashkonte përballë pushtetit autoritar dhe nacionalist të presidentit Putin.

Top Channel