OKB, Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Kerry: Jeni fiksuar me abuzimet në Izrael

02/03/2015 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka akuzuar këtë të hënë Këshillin e të Drejtave të Njeriut (HRC) në OKB se është tejet i fiksuar me pretendimet për abuzime në Izrael, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë shtetin hebre ndaj çdo përpjekjeje për ta izoluar atë.

Në një fjalim të mbajtur përpara Këshillit në Gjenevë të Zvicrës, Kerry nxiti gjithashtu grupin 47-anëtarësh të hetojë ndaj atyre që ai i përshkroi si abuzime të rënda në zonat e kontrolluara prej rebelëve në Ukrainën lindore, ashtu sikurse dhe në Krimenë e aneksuar vitin e kaluar prej Rusisë.

Ai dënoi gjithashtu të dhënat mbi të drejtat e njeriut në Korenë e Veriut, duke i quajtur si “të tmerrshme”, ndërsa tha se dhjetëra-mijëra njerëz jetojnë atje si “skllevër virtualë”. Kerry shtoi se “nuk ka asnjë liri shprehjeje, adhurimi apo mospajtimi politik atje”.

“Kim Jong-un ekzekuton këdo që bie ndesh me parimet e tij, duke spastruar vendin e tij nga cilido të njohur e të panjohur prej tij, qoftë edhe të imagjinuar si jobesnik. Për dekada të tëra, qeveria ka nënshtruar shtetasit e saj, duke i lënë në gjendje urie, duke i torturuar, madje edhe duke i burgosur ata”.

Kerry ofroi gjithashtu një mbrojtje të fuqishme ndaj Izraelit, përkundrejt asaj që ai e quajti si fokus i pabalancuar i këshillit ndaj këtij vendi.

“Duhet thënë hapur se fiksimi i HRC-së me Izraelin aktualisht rrezikon të minojë edhe besueshmërinë e kësaj organizate në tërësi”, tha Kerry. “Shtetet e Bashkuara do t’i shqyrtojnë shumë mirë këto çështje, siç shpresoj në mënyrë të drejtë dhe pa pasione, ndaj dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje nga cilido grup apo pjesëmarrës në sistemin e Kombeve të Bashkuara që të delegjitimojë apo izolojë, arbitrarisht dhe rregullisht, Izraelin”.

Top Channel