Hyseni: Liberalizimi i vizave, problem politik i vendeve të BE

02/03/2015 00:00

Prishtina zyrtare heq përgjegjësinë nga vetja kur është fjala për procesin e vizave dhe emigrimin ilegal. Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni tha se çështja e vizave është problem politik i ndërlidhur me vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën.

Sipas tij, qëndrimi më i ri i BE-së për mosliberalizimin është rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi. Ndërsa po raportonte në komisionin parlamentar për integrimet europiane, Hyseni shprehu keqardhje për faktin se e vetmja derë e hapur për kosovarët është drejt vendeve të lindjes.

“Turqia është vend mik dhe partner strategjik i Kosovës, por neve nuk na pëlqen nëse të rinjtë tanë ëndërrojnë të shkojnë përtej Turqisë si rezultat i izolimit nga Europa, të cilën Kosova e synon edhe politikisht, është gjeografikisht në të dhe është pjesë politike e saj. Këtu konsiston ajo se puna e liberalizimit nuk është më vetëm teknike, por ka kalaur një një stad tjetër që është skajmërisht politik dhe kërkon një veprim politik nga ana e Komisionit Europian”, deklaroi Hyseni.

Hyseni u gjend në pozitë të vështirë disa herë teksa u përgjigjej pyetjeve të deputetëve në komision. Ai tha se nuk ka shifra të sakta për numrin e kosovarëve që kanë ikur. Lidhur me rritjen e numrit të azilkërkuesve në tre muajt e fundit të 2014-s, ministri tha se se nuk ka arsye tjetër përveç asaj se trafikantët janë treguar më të shkathët.

“Ju e ndërlidhët rritjen e fluksit të emigrimit illegal në fund të 2014-s dhe fillim të 2015-s me marrëveshjen me Serbinë. Siç e dini, ajo është arritur më herët, por sipas numrave, rritja më e madhe ka ndodhur në muajin nëntor, gati dhjetëfish. Ne ende s’e dimë çfarë ka ndodhur në ato muaj dhe cilat kanë qenë arsyet që që bënë që numri të rritej”, deklaroi deputetja Vjosa Osmani.

“Kam frikë se arsyeja kryesore e rritjes së numrit në nëntor dhe dhjetor ka qenë prirja dhe shkathtësia e trafikantëve të qënieve njerëzore për ta manipuluar këtë situatë, duke përhapur informacione të rreme. Kosova është një vend i vogël”, u përgjigj Hyseni.

Sa për kushtet në kampet hungareze, ministri i Brendshëm tha se ato u ngjajnë më tepër kazermave ushtarake. Problem mbeten ndërkohë të riatdhesuarit, për të cilët ministria po planifikon të kërkojë buxhet shtesë gjatë rishikimit të buxhetit.

Top Channel