Zaev vijon publikimin e përgjimeve: S’do kursej as politikanët shqiptarë

02/03/2015 00:00

Kreu i partisë maqedonase në opozitë, LSDM, Zoran Zaev publikoi këtë të hënë 11 biseda telefonike mes ministres së Brendshme Gordana Jankullovska dhe ministrit të Financave, Zoran Stavrevski.

Në këto biseda, të përgjuara nga viti 2012, dy ministrat maqedonas shprehin pakënaqësinë e tyre nga mënyra se si drejtohet qeveria nga kryeministri Nikolla Gruevski. Ata shprehin pakënaqësinë e tyre edhe për disa drejtues komunash nga partia e tyre, për të cilët përdorin edhe ofendime.

Jankullovska dhe Stavrevski flasin po ashtu edhe për punë të tjera joligjore të përfaqësuesve të pushtetit, për krizën në buxhetin shtetëror, problemet me kreditë dhe shqetësimet në rritje për projektet e padobishme të qeverisë.

“Biseda mes Jankullovskës dhe Stavrevskit dëshmon se si Nikolla Gruevski në mes të natës i ka urdhëruar ministrat e tij për punë të paligjshme. Bëhet fjalë për direktiva që kanë të bëjnë me shpezime joligjike, për reklama dhe përmendore në kohën kur cënoheshin rrogat e punonjësve të administratës dhe vendet e tyre të punës”, deklaroi Zaev.

Në bisedat e publikuara, dy ministrat maqedonas dëgjohen duke përdorur terma fyes edhe për ambasadorin e Bashkimit Evropian, Aivo Orav, për të cilin thonë se është diplomat pa autoritet.

Kryetari i opozitës maqedonase tha gjithashtu se kriza në vend po thellohet, ndërsa paralajmëroi kryeministrin Nikolla Gruevski, se do të hasë në rezistencë nëse planifikon të ndërmarrë veprime kundër interesave të shtetit.

“Shpresoj që Gruevski nuk do të nisë trazira në vend. Nga veprimet që do të ndërmarrë ai do të varet se si do të dalim nga kriza. Megjithatë, është e qartë se këtij regjimi dhe diktaturës së Gruevskit i ka ardhur fundi”, deklaroi Zaev.

Lideri i social-demokratëve maqedonas paralajmëroi se nuk do t’i kursejë as politikanët shqiptarë. Ai tha se do të publikojë të gjitha materialet që posedon, që dëshmojnë për përfshirjen e politikanëve në afera kriminale.

Top Channel