Të ndash dashurinë në tre…

02/03/2015 00:00

Tingëllon edhe sot e pazakontë idea e një raporti dashuror të ndarë midis tre partnerëve. “Menage a trios” e quajnë francezët, gjë që nënkupton angazhim të tre personave në një raport romantik, e jo vetëm. Por, kjo lloj marrëdhënieje, ndonëse e papranuar dhe e çuditshme për shumë njerëz, ka ekzistuar shumë herët. Historia na shërben një mori shembujsh të “menages a trios”.

Sir William Hamilton, ambasadori britanik në Napoli; gruaja e tij Emma Hamilton dhe i dashuri i saj, heroi i Marinës, admirali Lord Nelson; ishin në një marrëdhënie treshe. Dhe ajo zgjati derisa admirali Nelson u nda nga jeta në 1805-n.

Intelektualja Dorotea fon Rode Shlycer, bashkëshorti i saj Mattheus Rodde dhe filozofi Charles de Villers, gjithashtu ishin në një “menage a trios”, nga 1794-a deri në ndarjen e bashkëshortit nga jeta në 1810-n. Të njëjtin raport ka pasur edhe shkrimtari Aldu Huxley, gruaja e tij e parë Maria, dhe një miku i tyre Clive Bell.

Aktorja Hattie Jacques ka jetuar me bashkëshortin e saj, John Le Mesurier, dhe të dashurin e tij, John Schofield.

Ka spekulime që, nga 1547-’48, Mbretëresha Catherine Parr, e veja e Henry VIII, në kohën kur ishte e martuar me burrin e saj të katërt, Thomas Seymour, ishin të përfshirë në një marrëdhënie treshe me Mbretëreshën e ardhshme, Elizabetë. Me shumë mundësi, kjo mund të jetë e ekzagjeruar, por ka pasur episode historike, që e kanë vërtetuar këtë raport të tyre.

Edhe poeti rus, Vladimir Mayakovsky, ka jetuar me Lilya Brik, e cila është konsideruar muza e tij, dhe me bashkëshortin e saj, Osip Brik.

Në 1913-n, psikoanalisti i njohur Carl Jung filloi një marrëdhënie me një paciente të re, Toni Wolff, e cila zgjati disa dekada. Në një biografi të shkruar për të, rrëfehet se Jung i ka kërkuar gruas së tij Emma, që Toni të bëhej pjesë e bashkëjetesës së tyre.

Top Channel