De Beauvoir dhe Sartre, lidhja e shkrimtarëve pa kufizime partnerësh

02/03/2015 00:00

Ata ndërtuan një prej marrëdhënieve më atipike për kohën. Simone de Beauvoir dhe Jean Poul Sartre, shkrimtarë të së njëjtës epokë, patën një raport dashuror që nisi prej 1929-s dhe zgjati deri në ndarjen nga jeta të Sartre, në vitin 1980.

Por, edhe pse lidhja e tyre ishte e fortë dhe e qëndrueshme, ata i lejuan njëri-tjetrit që gjatë rrugës të kishin edhe raporte me persona të tjerë. Përveç gjurmëve dhe kontributit që secili la në letërsi, në krijimin e rrymës filozofike ekzistencialiste, në feminizëm, politike etj., De Beauvoir dhe Sartre do të jenë padyshim tipizimi i partnerëve që i krijuan njëri-tjetrit komoditetin e marrëdhënieve treshe.

Madje De Beauvoir përmendet për marrëdhëniet e saj intime edhe me shumë femra, një pjesë e të cilave ishin studente të saj. Vajza, të cilat ajo më pas ia prezantonte edhe Sartre.

Edhe pse në fillimet e njohjeve të tyre, në vitin 1931 Sartre e propozoi për martesë, ata kurrë nuk e realizuan këtë, nuk patën fëmijë, çka i dha de Beauvoir avantazhin për të udhëtuar, për t’iu bashkuar çështjeve politike, të japë mësim, të shkruajë dhe të ketë shumë të dashur e të dashura.

Novela e saj e parë “She came to stay”, e shkruar në 1943-shin – dhe së fundmi e shqipëruar nga Diana Çuli nën titullin “Mikesha”, – sjell historinë dashurore të saj dhe të shkrimtarit Jean Poul Sartre, në mes të të cilëve u fut vajza e re dhe kapriçoze Olga Kosakieëicz. Një prej marrëdhënieve treshe të çiftit, e cila pothuajse shkatërroi lidhjen e tyre të hapur. Këtë roman, autorja e shkroi si një formë hakmarrjeje ndaj vajzës së re, të cilën e afroi me shumë dashamirësi në jetën private të sajën dhe të partnerit.

Por, pavarësisht këtij kërcënimi për lidhjen, pavarësisht se De Beauvoir dhe Sartre nuk u martuan kurrë e nuk patën fëmijë, pavarësisht se nuk jetuan gjithmonë në të njëjtën shtëpi, ata mbetën gjithmonë partnerë romantikë dhe të pandarë.

Top Channel