PD: Ilir Meta të dorëhiqet. Prokuroria të hetojë

02/03/2015 00:00

Ajo që po ndodh brenda mazhorancës për opozitën është një teatër mafioz, me personazhe kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin e vendit dhe deputetët dje miq e sot armiq.

“Të gjithë shqiptarët pa përjashtim kanë parë dhe kanë dëgjuar se deri ku shkon inkriminimi i qeverisë, i shumicës, i dyshes Rama-Meta. Krim, vrasje, shantazhe në këtë teatër mafioz personazhet janë Ilir Meta, Edi Rama, Saimir Tahiri e deputetët e tyre deri dje më të besuarit, sot të kthyer në shënjestra”, deklaroi në një konferencë për mediat në mbrëmjen e së hënës, kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Basha kërkoi dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë, të vihet në dispozicion të drejtësisë për t’u hetuar me akuzën më të rëndë që është bërë në këto 25 vite demokraci. Parlamenti nuk mund të drejtohet nga një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës se ka paguar për të vrarë dy deputetë”, shtoi Basha.

Më tej, kreu i demokratëve fajësoi Kryeministrin Rama si person në dijeni të ngjarjes.

“Më e pakta kemi sot një Kryeministër në dijeni të ngjarjes. Deri ku shkon përfshirja e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori vrasjesh dhe krimi”, deklaroi kreu i demokratëve.

Në fund, Basha tha se kjo nuk është më një betejë e brendshme e mazhorancës, por i përket të gjithë shqiptarëve.

Top Channel