Braho: Doshi të paraqesë provat në Prokurori

02/03/2015 00:00

Spartak Braho, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim doli në një konferencë për mediat në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku tha se ishte në dijeni të akuzave të ngritura nga Tom Doshi, por ndryshe nga deputeti i Qarkut të Shkodrës, gishtin e drejtoi tjetërkund.

“Para disa muajsh më është bërë e ditur nga kreu i Kuvendit, lidhur me pretendimet e Tom Doshit se kishte informacion se njerëz të afërm të Sali Berishës, më saktë kunati i tij Agim Rama kishin afruar shuma të konsideruesme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin e jetës politike duke akuzuar për këto vrasje kreun e Kuvendit Meta”, tha Braho.

Braho i bëri thirrje prokurorisë dhe policisë që të hetojë akuzat e ngritura nga deputeti i përjashtuar nga grupi socialist, Tom Doshi.

“Sot, pa komentuar deklarata të ndryshme të zotit Doshi, si kryetar i Komisionit të Sigurisë kombëtare, kërkoj që faktet e pretenduara prej tij të sekuestrohen nga prokuroria dhe të denoncojë për të zbardhur sa më parë. I kërkoj Policisë së Shtetit të vijojë me marrjen në mbrojtje të dy  deputetëve”, tha Braho.

Top Channel