Irak, ushtria deklaron kontrollin përreth Tikritit

02/03/2015 00:00

Trupat qeveritare irakene deklarojnë se kanë rimarrë nën kontroll disa zona përreth Tikritit, në përpjekjet e tyre për të rekuperuar qytetin nga Shteti Islamik.

Rreth 30 mijë trupa, ushtarë dhe anëtarë të milicive, raportohet se po kryejnë një sulm në fronte të ndryshme, të mbështetura nga forcat ajrore irakene.

Një komandë e Gardës Revolucionare iraniane po merr gjithashtu pjesë në këtë operacion, raporton BBC në edicionin e saj online. Tikriti, në veri të kryeqytetit Bagdad, ra nën kontrollin e Shtetit Islamik në qershor.

Burime pranë forcave të sigurisë thanë për BBC se trupat pro-qeveritare kanë marrë tashmë nën zotërim dy zona, Al Tin, në afërsi të Universitetit të Tikritit dhe Al Abeid në perëndim.

Më herët, luftime u raportuan edhe në Al Dour, lokalitet në jug-lindje të Tikritit, si dhe në veri të qytetit. Për momentin ka vetëm pak detaje mbi operacionin, por burime ushtarake dhe mjekësore u cituan të thonë se, 5 ushtarë dhe 11 anëtarë të milicive kanë mbetur të vrarë.

Nga ana tjetër, burime nga Pentagoni deklaruan se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë ndonjë mbështetje ajrore.

Kryeministri iraken, Haider al Abadi deklaroi se operacioni filloi vonë gjatë ditës së hënë, pasi dhjetëra mijëra trupa dhe milici u mblodhën në qendër të qytetit të Samarrës, duke u bërë gati për luftë.

Tikriti, që ndodhet në provincën e Salahudinit, shtrihet në rrugën për në Mosul, qyteti i dytë më i madh i Irakut, që u mor nga ISIS vitin e kaluar. korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se operacioni aktual është jetik për të rimarrë Mosulin.

Top Channel