Nemtsov, e ëma e dëshmitares: Frikë mos implikohet nga autoritetet ruse

02/03/2015 00:00

E dashura ukrainase e udhëheqësit të ekzekutuar të opozitës ruse, Boris Nemtsov, po përballet me një presion të jashtëzakonshëm psikologjik nga autoritetet e Moskës dhe i frikësohet faktit se mund të implikohet në vdekjen e tij. Kështu është shprehur për CNN nëna e saj.

Modelja 23-vjeçare, Anna Duritskaya, ishte duke ecur përkrah Nemtsovit gjatë mbrëmjes së të premtes, kur një i armatosur qëlloi 4 herë mbi politikanin, vetëm 100 metra larg Kremlinit.

“Ajo ishte duke qarë dhe po thoshte se Borisin e kishin vrarë, trupi i tij po dergjej ngjitur me të”, tha e ëma Inna Duritskaya. “Ajo ishte e shokuar dhe nuk mundeshe të thoshte gjë tjetër”.

Durtskaya tha se vajza e saj është marrë në pyetje deri në 2 pas mesnatës së të hënës, ndërsa shton se ka frikë mos autoritetet do ta implikojnë vajzën e saj në vdekjen e tij, sepse kanë kërcënuar t’i heqin avokatin mbrojtës.

Modelja po qëndron në apartamentin e një ndihmësi të Nemtsovi, nën ruajtjen e vazhdueshme të policisë. Ministria e Jashtme e Ukrainës ka kërkuar që Anna Duritskaya të lejohet të rikthehet në Ukrainë, bën të ditur agjencia ruse e lajmeve Itar-TASS.

Por, autoritetet ruse, për shkak se Duritskaya është dëshmitare kyçe në ngjarje, thonë se “komiteti hetimor ka të gjitha të drejtat ligjore për ta marrë më tej në pyetje atë, si pjesë e hetimit”.

Vrasja e opozitarit të shquar Nemtsov ka përhapur një sërë teorish konspirative. Ai ishte një prej kritikëve më të spikatur të presidentit Vladimir Putin, ndaj dhe shumë dyshojnë se Kremlini, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, është i përfshirë në vrasjen e tij.

Inna Duritskaya tha se vajza e saj e dinte se po rrezikonte së tepërmi, teksa po përfshihej në një lidhje intime me udhëheqësin e opozitës ruse. “Sigurisht që kur mësova se ajo po lidhej me të u shokova”, tha ajo. “Por, kur e takova atë si person, më la mbresa të mira. Ai ishte largpamës, e trajtonte vajzën time shumë mirë, ajo ishte e lumtur. Gjithsesi nuk mund të ndërhyja, pasi vajza ime po bënte atë që donte më shumë në jetën e saj. Ishte e shqetësuar dhe e frikësuar, por nuk mund të ndryshoja asgjë”.
 
Mijëra mbështetës të Nemtsovit u mblodhën të dielën në Moskë, në shenjë zie për 55-vjeçarin, i cili ka qenë dikur zëvendëskryeministër gjatë administratës së presidentit Boris Yeltsin. Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë, kur Nemtsov do të kishte udhëhequr një miting në Moskë, për të kundërshtuar politikat ruse në Ukrainë.

Top Channel