Hajdutë kanë hyrë me forcë në një muze të Francës, duke vjedhur të paktën 15 vepra arti kineze, deklaruan autoritetet nga Ministria franceze e Kulturës.
Vjedhja, e verifikuar tek Muzeu i Perandoreshës Kineze, që ndodhet brenda pallatit Fontainebleau, zgjati rreth 7 minuta, raportojnë autoritetet që po hetojnë ngjarjen.
Mes objekteve të vjedhura është edhe kopja e një krurore që mbreti i Tailandës i kishte dhënë perandorit Napoleoni III në vitin 1861. Sipas hetuesve, vlera e objekteve është shumë e lartë.
“Ato ishin mes objekteve më të bukura të muzeut. Ne mendojmë se hajdutët ishin të organizuar, se e dinin me saktësi atë që po kërkonin dhe vepruan në mënyrë shumë profesionale”, deklaroi Jean Francois Hebert, pronar i pallatit Fontainebleau.
Pallati është përdorur nga mbretërit francezë që prej shekullit të dymbëdhjetë, ndërsa tani është një muze kombëtar që bën pjesë edhe në Trashëgiminë Botërore të UNESKO-s.
Muzeu kinez mban vepra që dikur i përkisnin perandoreshës Eugenie, bashkëshorte e Napoleonit të Tretë.
Ministria franceze e Kulturës e cilësonte atë si një nga pjesët më të sigurta të pallatit, e pajisur me alarme dhe kamera mbikëqyrjeje. Hetimet për rekuperimin e veprave janë në zhvillim e sipër.
Top Channel