Berat, trafikonin të mitur, në pranga 2 persona

02/03/2015 00:00

Trafikonin të mitur për qëllime përfitimi dhe për këtë krim të rëndë kanë përfunduar në prangat e agjentëve të policisë së Beratit.

Burime zyrtare nga ky qytet bëjnë të ditur se finalizimi i operacionit kundër këtij grupi kriminal u arrit pas një bashkëpunimi mes seksionit të anti-trafikut në Drejtorinë e Policisë së Beratit dhe Prokurorisë e Krimeve të Rënda.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit Klajdi Çela dhe Besnik Stolla, të dy 25 vjeç dhe banues në Poliçan, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër person, me iniciale R.M.

Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të arrestuarit, nën akuzën e “trafikut të personave të mitur”.

Nga hetimet ka rezultuar se Çela dhe Stolla kishin trafikuar për qëllime prostitucioni një vajzë 14-vjeçare, po ashtu nga Poliçani.

Top Channel