Ukraina dhe Rusia arrijnë marrëveshjen për furnizimin me gaz

03/03/2015 00:00

Pavarësisht konfliktit ende të hapur me separatistët pro-rusë, Ukraina dhe Rusia kanë arritur një marrëveshje për furnizimin me gaz.

Marrëveshja e arritur ditën e hënë mundëson furnizimin me gaz të Ukrainës nga Rusia deri në fund të muajit mars.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, i cili kryesoi bisedimet, tha se ministrat e energjisë të Rusisë dhe Ukrainës ranë dakord për të diskutuar më vonë për një “paketë veror” të furnizimit me gaz të Ukrainës. Ai shtoi se “furnizimi me gaz i BE-së mbetet i sigurt”. Rreth 15 për qind e importeve të gazit drejt BE-së kalojnë transit nga Ukraina.

Palët kanë rënë dakord që Ukraina të mos paguajë për gazin në zonat e mbajtura nga rebelët.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, tha për gazetarët, se Bashkimi Europian ka kërkuar respektimin e kushteve të marrëveshjes për furnizimin me gaz të Ukrainës gjatë periudhës së dimrit.

“Ne i kemi bërë thirrje të dyja palëve të respektojnë paketën. Ky është qëndrimi ynë. Kjo është arsyeja që ne i kemi mbledhur të dyja palët në Bruksel për të diskutuar për një zgjidhje të mundhsme”, tha Itkonen.

Moska ka ndërprerë furnizimin me gaz të Ukrainës në disa raste, së fundi në qershorin e kaluar pas mosmarrëveshjeve në lidhje me çmimin dhe faturat e mospaguara. Ajo rinisi importin në drejtim të Ukrainës në muajin dhjetor.

Top Channel