Obama: Irani duhet të ndërpresë së paku për një dekadë veprimtarinë bërthamore

03/03/2015 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka thënë se Irani duhet të ndërpresë të paktën për një dekadë veprimtarinë e tij bërthamore.

Në një intervistë për “Reuters”, Obama tha gjithashtu se situata aktuale të lë të kuptosh që arritja e një marrëveshje të tillë do të jetë e vështirë.

Në një fjalim që do të mbajë në Kongresin amerikanë ditën e martë, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të kundërshtojë këtë marrëveshje, shkruajnë mediat ndërkombëtare. Por Obama tha se Kryeministri izraelit gaboi vitin e kaluar, kur ai kundërshtoi marrëveshjen e përkohshme të arritur me Iranin.   

“Gjatë kësaj periudhe ne kemi parë se Irani nuk po i përmbahet marrëveshjes në lidhje me programin”, tha Obama

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi, se dallimet në mendimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit muk duhet të jenë “destruktive”.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën po tentojnë arritjen e një marrëveshje me Iranin për të zvogëluar programin e tij bërthamor, në shkëmbim të heqjes së sanksioneve.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, po bisedon në Zvicër me ministrin e Jashtëm të Iranit, si pjesë e negociatave të vazhdueshme përpara 30 marsit, që është afati për arritjen e marrëveshjes, ndërsa deri më 30 qershor pritet nja marrëveshje përfundimtare.

Kreu i ekzekutivit izraelit kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera Perëndimore duke thënë se po heqin dorë nga përpjekjet për t’i ndaluar regjimit të ajatollahëve prodhimin e armëve bërthamore.

“Fuqitë botërore po zmbrapsen nga angazhimi për t’i ndaluar Iranit krijimin e armëve bërthamore”, deklaroi pak ditë më parë Netanyahu. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kerry-t, i cili deklaroi nga Gjeneva, se “Presidenti Obama e ka bërë të qartë se politika që ndjekin Shtetet e Bashkuara nuk është t’i lejojnë Iranit pajisjen me armë bërthamore, ndaj zoti Netanyahu mund të mos jetë i saktë në pohimet e tij”.

Top Channel