Kur xhihadisti John mohonte ekstremizmin, zbulohet materiali audio

03/03/2015 00:00

Një material audio është publikuar në orët e fundit, në të cilin luftëtari i Shtetit Islamik, Mohammed Emwazi mohon të jetë një ekstremist dhe ankohet ndaj shërbimeve britanike të sigurisë.

Në regjistrim, Emwazi, i njohur ndryshe si “xhihadisti John”, deklaron se shërbimi inteligjent MI5 e kishte kërcënuar atë dhe ishte përpjekur “t’i vendoste fjalë të pathëna”.

Regjistrimi rezulton të jetë bërë nga një kompani avokatie pasi Emwazi ishte dëbuar nga Tanzania dhe ishte marrë në pyetje nga agjentët e Mbretërisë së Bashkuar.

Britaniku i lindur në Kuvajt besohet se ka marrë pjesë në ekzekutimet e shtetasve perëndimorë që mbaheshin peng nga Shteti Islamik, duke u prerë kokën atyre.

Në takimet e zhvilluara me avokatët dhe mesazhet elektronike të shkëmbyera me ta, Emwazi thotë se kishte shkuar në Tanzani në vitin 2009 për pushime, por i ishte refuzuar hyrja dhe ishte vendosur në një fluturim për në Amstërdam, ku një agjent e akuzoi për përpjekje për të vajtur në Somali, për t’u stërvitur në kampet e terroristëve.

“Oficeri i MI5-ës më pa dhe më tha: ‘unë sërish besoj se ti do të shkosh në Somali për t’u stërvitur’. Unë i thash, ‘pas gjithë atyre që ju thash, se e gjithë kjo që po ndodh është ekstremizëm, ju ende besoni se unë jam ekstremist’. Por ai filloi të më atribuonte mua fjalë të pathëna”, tregon xhihadisti.

Emwazi vijon më tej duke shtuar se, oficerët e MI5-ës e kishin kërcënuar duke i thënë: “Ne do të të mbajmë në mbikëqyrje Mohammed, ashtu siç kemi bërë deri tani”.

Top Channel