Meta: Doshi, pengues i të vërtetës

03/03/2015 00:00

Kryeparlamentari Ilir Meta reagoi për herë të parë pas akuzave të bëra nga deputeti Tom Doshi, se ai kishte paguar për eliminimin fizik të tij dhe deputetit tjetër Mëhill Fufi.

“Unë nuk habitem nga akuzat e deputeti Tom Doshi, sidomos pas vendimit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për përjashtimin e tij.Unë them me bindje të plotë se nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë dëshmitar, i cili mund të provojë implikimin e Kryetarit të Kuvendit në një skenar të tillë. Përkundrazi, jam i bindur që ekzistojnë shumë dëshmitarë, të cilët provojnë versionin e parë dhe origjinal që porositës dhe pagues, sipas zotit Doshi, ishte kunati i zotit Berisha, zotit Agim Rama me qëllim destabilizimin politik të vendit për llogari të Berishës dhe fajësimin e Kryetarit të Kuvendit”, tha Meta.

Nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Meta, qetësisht ka shpjeguar hapat e ndërmarrë që nga moment kur është vënë në dijeni nga deputeti Doshi.

“Unë në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit jam takuar me ministrin e Brendshëm, me Prokurorin e Përgjithshëm, takime këto edhe në praninë e Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Braho, i cili bëri dje një deklaratë në respekt të opinionit publik dhe kam kërkuar marrjen e masave për zbardhjen e gjithë kësaj historie dhe vendosjen e personave të dyshuar përpara përgjegjësisë. Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështjeje rezulton të jetë deputeti Tom Doshi”, tha Meta.

Kryeparlamentari tha se Doshi ka ndryshuar deklarimet e tij, se kush ishte pororitësi eleminimit fizik.

“Eshtë e drejta e deputetit në fjalë, t’i ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij, çdo 6 muaj, sipas interesit të tij politik. Pjesën serioze të kësaj çështje e kam konsumuar prej 5-6 muajsh. Kam kërkuar të bëhen hetime, të zbardhet kjo çështje, të merret në mbrojtje e dy deputetëve, sepse kam qenë realisht i shqetësuar”, tha Meta.
 
Meqënëse nuk munguan komentet nga kampi opozitar me protagonist ish-Kryeministrin Berisha dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha për këtë të fundit Meta dha një sugjerim.

“Vetëm se kam një këshillë për kryetarin formal, që të jetë i kujdesshëm në deklaratat e tij, sepse zoti Doshi me sa duket e ka gjithmonë një atentat në mendje, por i ndryshon vazhdimisht versionet dhe porositësit. Përpara gjashtë muaj porositës ishte kunati i Doktorit, dje porositës dhe pagues dola unë. Por kam frikë se porositësi tjetër i radhës mund të jetë kunati i kryetarit formal të Partisë Demokratike. Nuk shqetësohem aspak për garën e paparë që ka nisur mes Doktorit dhe Lulit për të shprehur dashurinë dhe kujdesin ndaj zotit Doshi”, tha Meta.

Top Channel