Mjedisi, Koka: 2.3 milionë dollarë për të shpëtuar pishat

03/03/2015 00:00

Në kuadër të luftimit të sëmundjes së proçesionares, e cila ka prekur dhjetëra mijë hektarë pyje me pisha në vendin tonë, ministri i Mjedisit Lefter Koka është ndalur në Labinot Mal, në rrethin e Elbasanit, ku ka parë nga afër gjendjen e pyjeve dhe punën që po bëhet për t’i shpëtuar ato.

Janë 2.3 milionë dollarë të vëna në dispozicion për të luftuar këtë sëmundje, e cila prek kryesisht pishën e zezë dhe që për 20 vjet nuk është trajtuar.

“Kemi një fond prej 2.3 milionë dollarësh për zgjidhjen e problemit të proçesionares, që nuk është trajtuar prej 20 vjetësh dhe që për pasojë janë prekur 60 mijë hektar pyje me pisha. Gjithashtu, për zgjidhjen e këtij problemi janë punësuar me kontratë të plotë 6 mijë persona”, ka deklaruar Koka. Më tej, ministri i Mjedisit është ndalur në kodër Krastë të Elbasanit, nga ku ka inspektuar përfundimin e mbjelljes së 128 mijë fidanëve të rinj.

Ministri tha se, jo vetëm mbjellja e pemëve, por edhe investimi madhor për ngritjen e landfillit të ri, do t’i japin frymë qytetit të Elbasanit, duke e bërë atë një qytet model. Së shpejti, theksoi Koka, edhe industria e rëndë që operon në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik do të disiplinohet për të zbatuar të gjitha rregullat mjedisore.

Top Channel