Saga e Rocky degradon në “boks” real

03/03/2015 00:00

Sylvester Stallone është ngjitur shumë herë në ring për të aktruar, por në episodin e radhës të sagës Rocky, atij i është dashur të përfshihet në një sherr real, ndonëse për ta shuar atë.

Sipas faqes së internetit TMZ, aktori 68-vjeçar u inatos jashtëzakonisht teksa përpiqej të qetësonte gjakrat mes dy aktorëve, të cilët ishin përfshirë në një debat që nuk ishte pjesë e skenarit.

Një burim nga sheshi i xhirimit tha për TMZ se incidenti nuk degradoi në përleshje fizike, por dëshmitarë të tjerë pretendojnë për të kundërtën.

Tabloidi britanik “DailyMail” është përpjekur të kontaktojë anëtarë të stafit të Stallone, por ata nuk janë shprehur të gatshëm për komente.

Në vendin e ngjarjes u thirr edhe policia, por ende nuk dihet nëse nga personat e përfshirë në incident ka pasur ndonjë denoncim.

Njëri prej tyre ishte boksieri anglez Tony Belleë, i cili interpreton në filmin e fundit të sagës, “Creed”, ku në fokus është nipi i rivalit historik të Rocky.

Top Channel