PD, mocion kundër Metës: Mazhoranca e kapur nga krimi

03/03/2015 00:00

Veprimi i parë opozitar i Partisë Demokratike është mocioni për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Vendimi u mor në pjesën me dyer të mbyllura të grupit parlamentar demokrat, ku situata është vlerësuar si më e rënda e këtyre 25 viteve të fundit. 

Publikisht, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i bëri të qartë Ilir Metës se Partia Demokratike nuk e njeh më si kryetar të Kuvendit: “Ilir Meta sot duhet të deklaronte vetëm një gjë: dorëheqjen si kryetar Kuvendi dhe dorëzimin para drejtësisë deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues një të akuzuar për dy vrasje. Në vend që të trokiste në dyert e Prokurorisë sepse është nën akuzën më të rëndë të 25 viteve politikë, del e kapardiset para kamerave dhe synon të krijojë mjegull me deklarata të rreme e kriminale, akuza të mjera kundrejt opozitës.”

Në analizën e opozitës, gjendja është më e rënda e këtyre 25 viteve, jo vetëm sepse kryeministri ka heshtur për një denoncim për vrasje të dy deputetëve, por sepse e gjithë kjo, siç thotë Lulzim Basha, është histori për dominim mafioz të pushtetit ekonomik dhe politik: “Cfarë është e gjithë kjo? Asgjë tjetër veçse një lojë “kumbarësh” që përplasen me njëri-tjetrin se kujt do ia puthin dorën: don Ramës apo don Metës. Ky teatër po luhet me interesat e vendit. Vetëm sepse në kullën e pushtetit ka plasur lufta e klaneve me vrasës me pagesë, hesape personale për interesa që shkojnë nga trafiqet, te kontrolli i doganave dhe pasurive, ndarja e influencave, luftë brenda llojit për pushtet ku secili ka thirrur nën armë bandën e vet.”

Duke falenderuar partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen publike për dekriminalizimin e politikës, Lulzim Basha nuk pranon si realist asnjë zë që flet se largimi i Tom Doshit nga grupi parlamentar socialist është një hap i kryeministrit Rama për të pranuar dekriminalizimin: “Nuk mund të ketë gjysmë-dekriminalizim. Ai duhet të bëhet i plotë, pa kursyer askënd, sidomos themeluesit e tij. Nëse nis dekriminalizimi, Edi Rama bie. Krimi dhe lidhjet e tij janë gjysma e Edi Ramës. Nëse bie krimi, nëse bien lidhjet kriminale, rrëzohet sakaq edhe Edi Rama.”

Të gjitha këto, Lulzim Basha duhet t’ ua ketë thënë edhe ambasadorëve më të rëndësishëm të vendit, atij amerikan dhe të Bashkimit Europian, të cilët i kanë kërkuar në drekë një takim të ngushtë. Askush nuk ka folur pas takimit, por besohet se një nga çështjet e diskutuara duhet të jetë kërkesa e opozitës për inkurajimin dhe mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm për të hetuar edhe kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit.

“Ata janë subjekt i drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm është sot para një përgjegjësie historike për t’i shërbyer vendit dhe Kushtetutës. E dimë që ai vetë dhe prokurorët janë nën një kërcënim mafioz, por i japim fuqinë e plotë të zemrave të bashkuara të shqiptarëve që presin sot nga ai dhe Prokuroria të bëjë detyrën më të lartë përpara sfidës më të rrezikshme me të cilën është përballur ndonjëherë vendi. Shumica e njerëzve të ndershëm në këtë vend kanë tjetër axhendë nga kjo minorancë mafioze”, u shpreh Basha.

Top Channel