KE: Presim hetim të plotë për akuzat e Doshit

03/03/2015 00:00

Komisioni Europian bën thirrje për sjellje të përgjegjshme, veçanërisht
për rastet që lidhen me sundimin e ligjit dhe pret hetim të plotë nga
autoritetet kompetente shqiptare pas zhvillimeve politike të një dite më
parë në Tiranë.

Kështu u shpreh zëdhënësja Maja Koçijançiç, kur u pyet mbi reagimin e deputetit Tom Doshi, pas qëndrimeve të ambasadës amerikane dhe të delegacionit të BE-së, mbi planin për vrasjen e tij nga kryeparlamentari, Ilir Meta dhe video- regjistrimin e bisedës me kryeministrin Rama.

“Komisioni Europian pret hetim të plotë nga autoritetet kompetente shqiptare. Delegacioni i BE-së në terren ka reaguar, por pozicioni i BE-së për situatën aktuale është se mbështet plotësisht hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin plotë të marrëveshjes midis partive qeverisëse dhe të opozitës në Parlamentin e Shqipërisë, duke përfshirë dhe në lidhje me çështjen e personave me të dhëna kriminale që mbajnë poste publike. BE e ka prioritetin më të rëndësishëm zbatimin e ligjit dhe zbatimin e plotë të sundimit të ligjit, pa kompromis, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë prioritetet kyçe për Shqipërinë.Ne gjithashtu presim fjalime e sjellje të përgjegjshme, në veçanti mbi çështjet e sundimit të ligjit, nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike”, thotë Koçijançiç.

Në kuadër të “kontakteve të rregullta” me autoritetet shqipëtare, Komisioneri Hahn pret të enjten Ministrin e Jashtëm Bushati, me të cilin mësohet se do të diskutohet edhe kjo çështje, krahas zhvillimeve të tjera në vend e rajon.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel