AK, hetim kompanive në tregun energjetik

03/03/2015 00:00

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim mbi kompanitë që operojnë
në tregun e shitjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjet nga
OSHEE, pas shqetësimeve se mund të ketë marrëveshje të fshehur lidhur me
çmimin që ofrojnë.

E pyetur nga deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, kreu i Autoritetit të Konkurrencës Lindita Lati tha se nga hetimet paraprake rezulton se tek kompanitë që marrin pjesë në procesin e tenderimit nuk ka gjurmë të marrëveshjes për të kufizuar konkurrencën.

Por zonja Lati tha se po hetohet në një tjetër pistë, për të cilën siç u shpreh ajo, për sa kohë është në proces, nuk mund të japë detaje të mëtejshme. Në komision u dëgjuan edhe shoqata shqiptare e furnizuesve të energjisë elektrike të cilët kërkuan që në ligjin e ri për sektorin energjetik të përcaktohet tarifë 0 transmetimi për eksportet, KESH të mos jetë aktiv në tregun me pakicë dhe OSHEE të limitohet vetëm tek klientët tariforë, pasi sipas tyre çdo përfshirje në tregun e parregulluar shkel konkurrencën.  

Top Channel