SHBA, vrasja e të pastrehut nga policia ndez debate

03/03/2015 00:00

Në Los Anxheles të Shteteve të Bashkuara kanë nisur hetimet mbi vrasjen e një të pastrehu nga forcat e policisë.

Shefi i policisë së qytetit paraqiti në orët e fundit prova, që sipas tij, tregojnë që personi i pastrehë ishte përpjekur t’i merrte armën një oficeri para se të qëllohej.

Zyrtari i lartë, Charlie Beck deklaroi gjithashtu se dy agjentë mbanin të instaluara në uniformat e tyre dy kamera, por refuzoi të publikonte pamjet e regjistruara prej tyre.

Zyrtari i policisë nuk dha detaje as për viktimën, i njohur vetëm me pseudonimin Afrika, i cili u qëllua nga tre oficerë, ditën e diel.

Në muajt e fundit, në mbarë Shtetet e Bashkuara janë zhvilluar protesta kundër akteve të policisë ndaj popullsisë me ngjyrë.

Ato u nxitën nga një seri rastesh kur agjentët qëlluan për vdekje disa anëtarë të komunitetit afro-amerikan pas një konfrontimi me ta.

Incidenti i fundit në Los Anxheles, që është filmuar nga një kamera amatore dhe i postuar në rrjetet sociale, tregon një betejë të dhunshme mes personit të pastrehë dhe disa oficerëve të policisë, në një nga lagjet e varfëra të “qytetit të ëngjëjve”.

Shefi i policisë, Charlie Beck tha se ishte viktima që i përfshiu agjentët në atë që e quajti një “përleshje brutale” dhe saktësoi se agjentët kishin përdorur pistoletë elektrike për ta neutralizuar, por ai vazhdoi përplasjen fizike.

Reagimi i shpejtë i kryetarit të bashkisë së Los Anxhelesit dhe shefit të policisë tregojnë shqetësimin e autoriteteve për videon, që tregon qartë sesi policët qëllojnë personin e pastrehë.

Top Channel