Zhgënjimi nga “Crown Agents”, Qeveria: Nuk realizuan të ardhurat që prisnim

03/03/2015 00:00

Qeveria ka pranuar për herë të parë publikisht se kontrata 8 milionë euro me “Crown Agents” për asistencën në dogana nuk dha efektet që priteshin në mbledhjen e të ardhurave.

Në letrën e mirëkuptimit që i dërgon Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria vë në dijeni Fondin se puna me konsulentin e jashtëm në administratën doganore do të vazhdojë. Por siç shkruan vetë qeveria, rritja e madhe e të ardhurave që pritej në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes nuk është realizuar ende dhe, sipas saj, problemi qëndron në zbatimin jo-konsistent të rregullave dhe procedurave të vlerësimit, por edhe informalitetit.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, vitin e kaluar të ardhurat e mbledhura nga doganat ishin 5.5 miliardë lekë ose 3.5 përqind më të ulta se plani i parashikuar në buxhet. Zëri më ecurinë më të dobët ishte akciza, pikërisht taksa ku qeveria shpresonte të merrte përfitimet më të mëdha nga marrëveshja me “Crown Agents”.

Në kohën kur nënshkroi marrëveshjen, qeveria e lidhi një pjesë të shpenzimit prej 8 milionë euro me performancën e të ardhurave në dogana. Si objektiv u vendos rritja e tyre me 1 përqind ndaj Prodhimit Kombëtar.

Të dhënat tregojnë se, krahasuar me vitin 2013, të ardhurat në dogana u rritën me 10.9 miliardë lekë. Kjo është sa 0.8 përqind e Prodhimit Kombëtar, por sërish edhe kjo shifër nuk vjen e gjitha nga përmirësimi i administrimit dhe lufta ndaj evazionit fiskal.

Një pjesë e saj është rezultat i rritjes së drejtpërdrejtë të taksave mbi qytetarët, siç ishte rasti i akcizës së cigareve, e cila e vetme e shtoi barrën për vitin 2014 mbi 3.5 miliardë lekë.

Top Channel