Kryediplomati ukrainas: Krimea, parakusht për marrëdhënie me Rusinë

03/03/2015 00:00

Asnjë normalizim të marrëdhënieve mes Ukrainës dhe Rusisë nuk do të bëhet i mundur, derisa rajoni i Krimesë, tashmë nën kontrollin e Rusisë, t’i rikthehet sovranitetit të Kievit, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, gjatë së martës.

Klimkin, i ndodhur për një vizitë dyditore në Japoni, tha gjithashtu se kufiri mes Ukrainës dhe Rusisë duhet të mbyllet tërësisht, në mënyrë që të arrihet në zgjidhjen e konfliktit të armatosur mes Kievit dhe separatistëve prorusë në lindje të vendit.

Ai përsëriti edhe një herë qëndrimin e qeverisë së tij, për qëndrueshmërinë e armëpushimit të arritur muajin e kaluar në Minsk në vijën e frontit, por se luftëtarët në bastionin e separatistëve Donjeck po stërviten për një tjetër raund përplasjesh me forcat qeveritare.

“Nuk mund të ketë aspak normalizim apo rikthim në çështje biznesi të marrëdhënieve mes Ukrainës dhe Rusisë, pa rikthyer më parë ‘status quo’-në dhe vendosjen e plotë të sovranitetit ukrainas ndaj Krimesë”, tha Klimkin për reporterët në Tokio.

Rusia e aneksoi gadishullin me dalje në detin e Zi nga Ukraina rreth një vit më parë. “Kushti më i fundit për një zgjidhje përfundimtare dhe efektive është mbyllja e kufirit ruso-ukrainas”, tha ai. “Kjo, sepse gjithçka që po destabilizon situatën në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut – merceranët, paratë, armët, armatimet e rënda dhe sigrisht edhe trupat rebele ruse – kanë ardhur në Ukrainë përmes kufirit ruso-ukrainas”.

Ukraina dhe qeveritë e Perëndimit kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë për dërgimin e trupave dhe armatimeve në mbështetje të separatistëve në lindje të Ukrainës, pavarësisht marrëveshjes së paqes të dakordësuar më 12 shkurt. Gjë që Moska e mohon.

“E kemi theksuar se, prej fillimit, kemi qenë të gatshëm për një zgjidhje paqësore. Por, do të përdorim çdo mënyrë për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, tha Klimkin.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka thënë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë së hënës se Moska dhe separatistët prorusë në Ukrainë duhet të implementojnë armëpushimin, përndryshe do të përballen me “pasojat” që mund të godasin edhe më tej ekonominë e trazuar të Rusisë.

Top Channel