Berisha: Nuk kam as 60 mijë euro

03/03/2015 00:00

Sali Berisha beson se akuzat e Tom Doshit për Ilir Metën janë të vërteta për faktin e thjeshtë, siç shpjegoi, se askush nuk mund të shpikë një krim me vrasje.

“Unë uroj që të hetohet, por që një njeri të dalë dhe të kapë tjetrin, i cili i thotë se më thënë të të vras, më premtuan para. Askush nuk gënjen për krimin, ata që implikohen në të nuk gënjejnë”, tha Berisha.

Në variantin e treguar prej kryeparlamentarit, në histori përfshihet edhe kunati i ish-Kryeministrit, Agim Rama, biznesmen që sipas Metës kishte sponsorizuar vrasjet për llogari të Sali Berishës për destabilizimin e vendit.

Por i kontaktuar nga Top Channel, Agim Rama deklaroi se gjithçka ishte fantazi e pjesës së inkriminuar të shoqërisë dhe se ai nuk kishte ndërmend të bëhej pjesë e një “loje shumë të shëmtuar politike”.

Të njëjtën gjë tha edhe ish-Kryeministri Berisha, sipas të cilit emri i tij dhe i familjarëve të tij është përfshirë nga Ilir Meta, pasi skenari i tij për vrasjen e dy deputetëve dështoi.

Sipas Sali Berishës, zoti Meta tregon takimin me Tom Doshin, por jo atë me familjarët e deputetit tjetër, Mëhill Fufi, takim, që sipas ish-Kryeministrit është kryer pas dështimit të skenarit për vrasje.

“Ai nuk u tha se ka thirr në zyrën e tij persona të caktuar, për t’u thënë se Sali Berisha ka sponsorizuar këto dy vrasje dhe ata i kanë kthyer reston, duke i thënë: edhe një qime floku po i lëvizi njeriut tonë do t’i kesh punët siç meriton t’i kesh”, u shpreh Berisha

Ish-Kryeministri kërkoi hetimin e kryeparlamentarit.

“Ka thirr njerëz për t’u thënë se Sali Berisha donte të eliminonte vëllain tënd dhe aty ka marrë përgjigje burrërore. Tani do të marrë përgjigje ligjore pasi kjo është një tjetër faqe e zezë e skenarit të një mafiozi në krye të Parlamentit”, shtoi Berisha.

Gjatë 25 minutave të komunikimit me gazetarët, zoti Berisha u kujdes të bënte njësoj përgjegjës edhe Kryeministrin Rama.

“Dështimi i skenarit nxjerr Ramën më lakuriq sesa në fotot që ju keni parë në plazhet e botës. A ka kryeministër në botë të mos kërkojë zbardhjen me urgjencë të një krimi makabër? Përkundrazi, jep oferta nga më të ndryshmet për të dalë jashtë partisë. Të gjitha këto dëshmojnë se Rama ishte, në mos porositësi, miratuesi i krimit”, tha Berisha.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje është largimi me protesta i qeverisë, që siç shkruan më vonë në “Facebook”, me realizimin e skenarit të vrasjeve mafioze mund ta kishte çuar vendin në luftë civile. 

Top Channel