Pep Guardiola: Do të respektoj kontratën, nuk pres oferta nga klube të tjera

03/03/2015 00:00

Pep Guardiola nuk ka ndërmend të largohet nga Bayern Munchen në fund të sezonit aktual, edhe pse ka zëra që e bëjnë të kryer transferimin e tij te Manchester City.

Kontrata e trajnerit spanjoll me klubin bavarez skadon në verën e vitit 2016, por negociatat për një zgjatje të saj janë shtyrë për verën e këtij viti, duke shtuar spekulimet për një largim të tij nga Bundesliga.

Por, vetë Guardiola ka deklaruar se nuk ka kontaktuar me asnjë klub dhe se do të vazhdojë aventurën e tij me kampionët në fuqi të Gjermanisë.

“Nuk kam marrë oferta dhe nuk po pres oferta. Shpresoj të qëndroj këtu për një kohë të gjatë. Kam një kontratë që do e respektoj deri në fund. Në verë do të ulemi e do të diskutojmë, por unë jam i lumtur në këtë klub të mrekullueshëm“, tha Guardiola në konferencë për shtyp.

Nën drejtimin e spanjollit që nga sezoni 2013-2014, Bayern Munchen ka fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve.

Top Channel