Fjalimi në Kongres, Netanyahu: Marrëveshja i hap rrugën Iranit drejt bombës bërthamore

03/03/2015 00:00

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mbajti një fjalim përpara Kongresit amerikan, ku dha forcërisht të gjitha argumentet e tij kundër një marrëveshjeje bërthamore me Iranin, e duke e quajtur një akord të tillë si diçka me efekt të kundërt me atë që kërkon të ketë komuniteti ndërkombëtar.

“Efektivisht do të furnizohej Irani me mënyrat e nevojshme për të prodhuar një armë bërthamore”. Një marrëveshje e tillë “nuk e bllokon rrugëtimin e Iranit drejt bombës atomike, por ia hap këtë rrugë Republikës Islamike”, tha Netanyahu. “Ndaj, përse duhet ta nënshkruajmë një marrëveshje të tillë?”.

Edhe pse fjalimi i tij në Kongres ka irrituar së tepërmi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka lavdëruar presidentin Obama. Megjithatë fjalimi ka nxitur përçarje edhe mes grupeve kryesore të hebrejve-amerikanë dhe demokratëve-hebre.

Çmojmë së tepërmi gjithçka ka bërë presidenti Obama për Izraelin”, tha Netanyahu duke fituar duartrokitjet e kongresmenëve amerikanë. Disa prej gjërave që ka bërë presidenti, siç tha udhëheqësi izraelit, nuk janë të njohura për publikun, por janë mëse të njohura për Netanyahun.

Kryeministri izraelit u përpoq të adresonte përpara Kongresit edhe polemikat që kanë lindur dhe janë zhvilluar vazhdimisht, që kur u njoftua në janar për mbajtjen e këtij fjalimi.

“E di që fjalimi im është bërë objekt bisede dhe shumë polemikash. Më vjen shumë keq, që disa e kanë perceptuar ardhjen time këtu si për qëllime politike. Kurrë nuk ka qenë ky qëllimi im”, tha Netanyahu, i cili falënderoi demokratët dhe republikanët për mbështetjen e jashtëzakonshme të tyre ndaj Izraelit. Marrëdhëniet mes dy vendeve, tha ai, “kanë qenë gjithnjë përtej politikës” dhe “duhet të mbeten gjithnjë mbi politikën”.

Netanyahu ka diskutuar gjatë një marrëveshje, ende të paarritur dhe të padakordësuar, sesi të ndalohet Irani nga sigurimi i aftësive dhe kapaciteteve për të pasur armë bërthamore. Irani, siç tha ai, përbën një “kërcënim madhor” jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë botën. Kryeministri izraelit ka shprehur shqetësimin e tij në fjalim në lidhje me uraniumin e pasuruar dhe kërkimet dhe zhvillimet bërthamore të Iranit, ashtu sikurse dhe shqetësimet në lidhje me sjelljet e mbajtura në bisedimet ndërkombëtare mbi këtë çështje.

Duhet të qëndrojmë të gjithë së bashku, në krah të njëri-tjetrit, për të ndalur marshimin e Iranit drejt pushtimit, nënshtrimit dhe terrorit”, tha Netanyahu. Irani dhe Shteti Islamik janë “duke garuar për kurorën mbretërore të militantizmit islamik”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë izraelite ka pohuar në mënyrë agresive se bisedimet për programin bërthamor të Iranit nuk duhen të mbahen, duke thënë se ai ka “një detyrim moral për ta bërë këtë gjë”.

Mes të pranishmëve në Kongres ishin edhe bashkëshortja e Netanyahut, Sara, si dhe Elie Wiesel. Ndërkohë që ai fliste në Kongres, Sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, dhe ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ndodhen për bisedime në Gjenevë.

Netanyahu dhe administrata e Obamës u përpoqën gjatë së hënës të deklaronin publikisht disa prej përçarjeve që janë ekspozuar së fundi mes dy qeverive, e njëkohësisht janë përpjekur edhe të shfaqin edhe pikëpamjet e kundërta të tyre mbi mënyrën sesi bota duhet të përballet me Iranin dhe programin bërthamor të Republikës Islamike.

Top Channel