Nis ndërtimi i Transballkanikes, Rama: Vlora shndërrohet në qytet modern

03/03/2015 00:00

Nis ndërtimi i rrugës Transballkanike e cila lidh qytetin e Vlorës me autostradën Vlorë-Fier, e cila pritet t’i japë fund trafikut të rënduar gjatë sezonit të verës.

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet duke deklaruar se ky investim është premtuar shpesh herë gjatë fushatave elektorale, por asnjëherë nuk është realizuar.

“Pasi u zgjidh problemi me të gjitha familjet që duhet të lironin banesat e tyre për çeljen e kësaj rruge, sot jam shumë i kënaqur që fillon më në fund, pas shumë e shumë vitesh, të realizohet projekti që e kthen Vlorën tonë nga një xhep fals në një qytet mesdhetar, me hyrje e dalje të standarde europiane. Transballkanikja famshme që e premtonin të gjithë kryeministrat, kandidatë për kryeministra, deputetët e kandidatë për deputetë, sa herë që kishte fushata dhe pastaj e harronin, më në fund erdhi në ditën kur do të marrë fund dhe do ta bëjmë me rrugë model për një qytet të rëndësishëm mesdhetar dhe turistik”, deklaroi Kryeministri Rama.

Gjatë qëndrimit në Vlorë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj kanë qenë të pranishëm në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku është bërë shpërndarja e pensioneve të reja për disa të moshuar, të cilët tashmë në bazë të skemës së re përfitojnë pensione më të larta.

Falë kësaj skeme, tha ministri Veliaj, është bërë e mundur rritja  dhe heqja e tavanit prej 240 mijë lekësh, duke mundësuar pensione që arrijnë mbi 300 mijë lekë për çdo pensionist të ri.

Në Vlorë Kryeministri Rama shpërndau 250 çertifikata legalizimi banesash. Ndërsa në Novoselë Kryeministri së bashku me Ministrin Erjon Veliaj  dhe Presidentin e Shoqatës “Biznes Albania” u rikthyen  në banesën e të moshuarës Dhora Gjoni, këtë radhë për t’i dorëzuar çelësat e shtëpisë së re. Shtëpia u ndërtua thuajse nga e para, me kontributin e “Biznes Albania” pas përmbytjes së pak javëve më parë në jug të vendit.

Top Channel