Biznesi, ndihma për bujqësinë në zonat e përmbytura. Panariti kërkon orientimin e investimeve

03/03/2015 00:00

Bizneset e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë kanë ndihmuar fermerët e zonave të përmbytura në jug të vendit, duke u zëvendësuar rreth 600 krerë bagëti të humbura nga përmbytjet.

Procesi është ndjekur nga përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe biznesit, deri në mbërritjen në destinacion dhe shpërndarjen te fermerët.

Por, në një takim me ministrin Panariti, përfaqësues të kompanive të sigurimit thanë se situata të tilla tregojnë mbi nevojën e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bizneseve për të siguruar pronën e tyre.

“I bëjmë thirrje biznesit dhe qytetarëve, që në një kohë shumë të vogël – këtu duhet të bashkëngjitet edhe Qeveria shqiptare me strategjinë e saj për industrinë e sigurimeve – që të sigurojnë pronën, sepse në një të ardhme do të jenë të sigurt dhe të vetëmbrojtur për biznesin e tyre, për jetën dhe pronën e tyre”, tha Kadri Morina, përfaqësues i kompanive të sigurimit.

Takimi është shfrytëzuar nga ministri i Bujqësisë për t’u bërë thirrje bizneseve të orientojnë investimet e tyre drejt sektorit të bujqësisë.

“Ne kemi afërsisht 1000 ha sera në të gjithë Shqipërinë, por duhet ta çojmë në 3000. Në këtë mes duhet të pesëfishojmë ofertën, duke gjetur edhe interesin dhe përkrahjen e biznesit për të investuar në pikat e mëdha të grumbullimit”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.

“Është koha që ne të ndërgjegjësohemi dhe të operojmë me financimet tona në këtë sektor, për t’i shërbyer cilësisë së standardit, e në radhë të parë asaj që ne quajmë si origjina e produkteve tona autoktone”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Rritja e ofertës dhe investimi në pikat e grumbullimit, sipas ministrit Panariti, do të jenë çelësi i zhvillimit të sektorit bujqësor.

Top Channel