Kur qytetari shndërrohet në reporter

03/03/2015 00:00

Krijuesit e telefonave celularë nuk do ta mendonin kurrë, që kjo shpikje e vogël do të kishte kaq fuqi në shekullin e XXI. Përveç funksionit klasik, ajo që po vihet re gjithmonë e më shumë është një tjetër fenomen: video apo fotoraportimi nga njerëzit e thjeshtë.

Nuk kanë mbaruar për Gazetari, por, të gjendur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, ata po sfidojnë gazetarët e vërtetë.

Nëse ke një telefon inteligjent dhe shikon “mëkatin” pas perdes së shtëpisë tënde, falë opsionit të raportimit mund ta bësh publike në Youtube ose në blogun personal. Më pas, çdo gjë është në “pushtetin” e rrjeteve sociale.

Sot kushdo ka mundësi të ketë një celular në xhep dhe, nëse e përdor për të raportuar, ai mund të bëjë punën e një redaksie lajmesh. Mediat prestigjioze e kanë kuptuar shpejt ndihmën e njerëzve, motiv ky që ka ndikuar për të vendosur opsionin “Ti raporton!” në faqet e tyre të internetit.

Të shumta janë rastet kur, pas publikimeve, “mekanizmi” ka lëvizur duke shkaktuar një efekt domino. Oficerë policie të përjashtuar, punonjës administrate në ndjekje administrative apo penale, e deri te gjyqtarë të korruptuar të zënë “mat”; të gjitha të filmuara nga njerëz të rastësishëm e më pas të publikuara në televizione.

Dy dekada më parë, një gjë e tillë as që mund të imagjinohej, por fakt është se sot bota ka ndryshuar nga zhvillimi teknologjik, si dhe falë ndërgjegjësimit dhe guximit të njerëzve të thjeshtë.

Tashmë mund të thuhet se, nëse nuk ke bateri në celular, je në probleme, kështu që ata që duan të abuzojnë me postin që mbajnë, apo të shkelin ligjin, duhet të mendohen mirë dy herë. Askush nuk e di me siguri ku është drejtuar syri i kamerës së celularit…

Top Channel