Ish-shefi i CIA-s, David Petraeus pranon fajësinë. Rrezikon një vit burgim

03/03/2015 00:00

David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s dhe Gjeneral me 4 yje, ka arritur më në fund një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë, nëpërmjet së cilës pranon fajësinë për keqpërdorim të materialeve të klasifikuara.

Ky zhvillim i jep fund një hetimi të gjatë për dyshimet nëse ai kishte pajisur të dashurën e tij me informacione sekrete. Petraeus dha dorëheqjen nga posti i tij si drejtor i CIA-s në vitin 2012, pasi u zbulua se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me biografen e tij.

Një deklaratë e Departamentit të Drejtësisë njofton mbi dorëzimin e aktit të arritjes së marrëveshjes së fajësisë. Akordi nënkupton që Petraeus do të shpallet fajtor për akuzën e mbajtjes dhe largimit të paautorizuar të një materiali të klasifikuar, por do të shmangë gjykimin e turpshëm ndaj tij. Akuza e ngritur ndaj tij mund të dënohet me maksimumin një vit burgim, raporton “New York Times”.

Petraeus e ka nënshkruar marrëveshjen, konfirmoi zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Marc Raimondi, për BBC. Gjenerali me 4 yje i dalë në pension ka qenë në krye të luftrave të fundit të Amerikës në Irak dhe Afganistan, teksa konsiderohej dikur si një prej kandidatëve pretendentë për Presidencialet në krahun republikan.

Ai ka pasur një lidhje jashtëmartesore me Paula Broadwell në vitin 2011, gjatë së cilës ajo e kishte intervistuar për një biografi që po shkruante ajo. Tre ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2012-s, Petraeus dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të CIA-s dhe pranoi lidhjen, por në atë kohë ai mohoi të kishte kryer ndonjë shkelje penale.

FBI zbuloi lidhjen e tij gjatë një hetimi kibernetik, pas akuzave të bëra nga një prej miqve të ish-gjeneralit. Ata dolën në përfundimin se Broadwell i kishte dërguar email-e kërcënuese mikut të të dashurit të saj, dhe gjatë hetimit zbuluan edhe evidenca që tregonin se Petraeus kishte ndarë me të dashurën e tij materiale të klasifikuara.

Top Channel