Kryeprokurori, VV: Përleshje mes bandave institucionale për kontroll

03/03/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje i quan përleshje mes bandave institucionale për kapjen e shtetit, zhvillimet për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.

“Klanet, që tashmë veprojnë haptazi në Këshillin Prokurorial të Kosovës, kanë thënë akuza dhe kundërakuza për njëri-tjetrin në kundërshtim të plotë me seriozitetin dhe profesionalizmin, që duhet të gëzonte ky organ, marrë parasysh që pikërisht nga ky Këshill priten betejat kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe zbardhjes së veprave të tjera penale”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.

Ky subjekt politik kritikon Gjykatën Kushtetuese se ka marrë vendim për anulimin e procesit të parë jashtë kompetencave të saj. Shqetësuese për VV-në mbetet fakti se, për kandidatin e vetëm të mbetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, përflitej para votimit mes anëtarëve të Këshillit si i përzgjedhuri nga “ndërkombëtarët”.

“Është tashmë e qartë se kjo përplasje, krahas asaj brenda vetë Këshillit prokurorial, është reflektim i përplasjeve të klaneve partiake e mafioze për të zotëruar kontrollin e kryeprokurorit. Kjo për ta është dhe mënyra më efikase, që dosjet e krimit të mos hapen dhe që dosje të reja të mos fillojnë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Top Channel