PD: I ndaluari po torturohet për të manipuluar dëshminë

03/03/2015 00:00

Partia Demokratike deklaroi përmes një komunikate shpërndarë për mediat se i ndaluari Durim Bami, i cilësuar si personi kyç në skenarin e akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi ndaj kryetarit të Kuvendit, po torturohet në ambientet sekrete të Policisë së Shtetit me qëllim për të manipuluar dëshminë e tij.

“Partia Demokratike denoncon metodat e sigurimit të shtetit dhe shkeljen e procedurave ligjore që po përdoren ndaj dëshmitarit Durim Bami, personit kyç në skenarin e akuzave për vrasje që rëndojnë ndaj kryetarit të Parlamentit. Prej mëngjesit kur Bami është ndaluar, po mbahet në ambjentet sekrete të Policisë së Shtetit, pa avokat dhe nën presion e torturë, vetëm me një qëllim. Që të manipulojnë dëshminë e tij”, thuhet në komunikatën e Partisë Demokratike.

Partia Demokratike i cilëson këto metoda tipike të sigurimit të shtetit dhe një manovër gangsterësh në pushtet, për të shpëtuar, sipas saj, nga akuza më e rëndë e 25 viteve të fundit.

“Po synohet manipulimi i dëshmitarit, dhe pas kësaj skeme, njësoj e rëndë si skenari i vrasjes së dy deputetëve, qëndron Ilir Meta dhe Edi Rama”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Top Channel