Gentian Proseku: Si e xhirova shpërthimin e Gërdecit

03/03/2015 00:00

Le të kthehemi pas në kohë, disa vite më parë, kur realisht të gjithë u tronditëm nga një ngjarje që ndodhi shumë pranë Tiranës. Mjafton të përmendim fjalën Gërdec dhe kujtojmë ndjesinë e të gjithë atyre ditëve që pas shpërthimit, jetët e humbura të asaj tragjedie, dhe gjithë ngjarjet që pasuan.

Ekskluzive e Top Channel ishte në atë kohë videoja e famshme, i pari moment kur të gjithë kuptuan realisht se çfarë po ndodhte pak km larg kryeqytetit, një shpërthim në punishten e demontimit të armëve në Gërdec, që tronditi jo vetëm banorët e zonës, por të të gjithë vendit.

E të mendosh se kjo ka qenë një video e rastësishme, e filmuar jo nga gazetarët, por nga një individ që nuk kishte lidhje me median, i ndodhur në vendin e shpërthimit, i cili do të shndërrohej edhe në fillesën e asaj që quhet “gazetari individuale”.

Në studion e “Pasdite në Top Channel” ka qenë i ftuar autori i videos së Gërdecit, ai që ka dokumentuar një nga ngjarjet më të rënda në historinë e Shqipërisë, dhe është hera e parë që ai rrëfeu historinë e asaj videoje në një studio televizive. Bëhet fjalë për Gentian Prosekun, një pastor.

TCH: Të kthyer pas në kohë, çfarë ndjesie të krijon ai moment rastësor, kur kishe ndezur kamerën dhe filmove diçka, që mbase as vetë nuk e prisje?

Gentian Proseku: Ishte rastësor, siç e thatë edhe ju. Në ato momente as vetë nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Efekti i asaj që ndodhi atëherë jeton ende në kujtesën dhe shpirtin tim. Isha në vendin e duhur dhe kohën e duhur, dhe me mjetin e duhur në duar për ta xhiruar. Nuk e dija që në atë zonë të Gërdecit ekzistonte një punishte demontimi. Arsyeja e vetme që filmova, ishte sepse dëgjova fëmijët e fshatit, që po thonin se ka rënë një avion. Mendova menjëherë që mund të ishte e vërtetë, sepse aty afër është edhe aeroporti i Rinasit. Kisha një kamera amatore dhe, pavarësisht se nuk jam i apasionuar për filmimet, thjesht mendova të kapja këtë moment për ta dokumentuar ‘rrëzimin e avionit’. Por vetëm kur pashë shpërthimin e parë, i cili më bëri të ndieja goditjen dhe nxehtësinë e tij në fytyrë, kuptova që nuk ishte një avion.

TCH: Duket edhe në xhirime, që goditja mbërriti deri në vendin nga ku po xhirohej. Kamera nisi të lëkundej, e më pas nga ç’duket ke rënë edhe në tokë. Ndoshta edhe regjistruesi ka rënë në tokë. Por, sa larg Gërdecit ishe në momentin e xhirimit?

Gentian Proseku: Në vijë ajrore isha 3 km larg, në anën më jugperëndimore të Gërdecit, midis fshatit Marikaj dhe Maminas (Vlashaj), duke qëndruar në papafingon e shtëpisë sime. Isha duke xhiruar këto pamje ‘të rrëzimit të avionit’, pa e menduar se do vinte edhe një tjetër shpërthim pas 10-12 minutash, edhe më i fortë, të cilin nuk munda ta regjistroja, sepse nisa të kujdesesha për familjen.

TCH: Çfarë ndodhi pas shpërthimit dhe kur e kuptove që kishe në duar një material, i cili duhej shpërndarë, pasi të gjithë duhej ta shikonin?

Gentian Proseku: Menjëherë pas shpërthimit të dytë e kuptova që ishte një ngjarje për t’u dokumentuar. Në mendje më shkoi një miku i fëmijërisë, Sokol Balla, me të cilin jemi rritur në një lagje. Të them të drejtën sapo e kisha blerë kamerën dhe më shumë kisha merakun e saj, sesa për filmimet që kishte brenda. I thashë gruas ta ruante me kujdes kamerën, e cila më pas shkoi në Top Channel për ta dorëzuar atje.

TCH: Njihje Sokol Ballën dhe çfarë bëre, e telefonove? Çfarë kuptove pastaj, një njeri shumë të interesuar për këtë video?

Gentian Proseku: Nuk munda ta telefonoja, sepse në ato momente të gjitha linjat telefonike ranë. Nuk mund të krijoja asnjë lidhje, thjesht dërgova kamerën me anë të sime shoqeje deri në zyrat e Top Channel. Vetë qëndrova në fshat për të evakuuar njerëzit nga vende të ndryshme të Durrësit.

TCH: Ishte një vendim i yti për t’ua dhënë mediave këtë video, apo ishte diçka instiktive që nuk të mori aspak kohë ta mendoje?

Gentian Proseku: Mendova që si një njeri që dëshiron të vërtetën, me fakte dhe me gjëra të prekshme, thashë që kjo ishte një ngjarje e cila duhej pasur parasysh, edhe pse nuk i dija fare përmasat që do të merrte më pas, qoftë të efekteve të kësaj videoje, ashtu dhe të fatkeqësisë që ndodhi në Gërdec.

TCH: Kur e kuptove efektin e videos që kishe bërë?

Gentian Proseku: Të nesërmen, sepse deri në mesnatë kam qenë në lëvizje duke ndihmuar njerëz, e duke mos pasur kontakte me mediat. Më pas njerëzit merrnin në telefon për t’u interesuar për shëndetin.

TCH: Gjatë këtyre viteve, e ke kuptuar se edhe ti ke ndikuar në ndryshimin e mënyrës së të bërit gazetari në Shqipëri?

Gentian Proseku: Nuk mund ta them këtë gjë, thjesht mendova që isha duke bërë gjënë e duhur, që siç besoj unë çdo qytetar duhet të bënte. Unë jam një pastor që kam lëvizur nga Tirana në fshat dhe besoj se nuk ka qenë rastësi. Ishte për shkak të shërbesës që kemi atje, por ja që momenti bëri që kjo ngjarje të bëhej pjesë e jetës sime. Pastaj se çfarë zgjedh të bësh me këtë ngjarje që të bie në dorë, kjo është në varësi të personit. Besoj se cdo qytetar i ndërgjegjshëm duhet ta bëjë dicka të tillë, nëse e do të vërtetën, sepse kjo është liria për të shprehur të vërtetën.

Të shumtë janë qytetarët që e  bëjnë sot, jo më për ngjarje aq të rënda siç ishte ajo e Gërdecit, por edhe për episode shumë të vogla në jetën e përditshme. Ata denoncojnë sot nëpërmjet videove, duke u kthyer në reporterët e përditshëm. Kjo gjë, në njëfarë mënyre, sot po quhet “gazetari e qytetarit”, pra kur një qytetar apo individ filmon me celularin e tij një ngjarje, një fakt dhe e përcjell në mediat sociale.

Top Channel